100 ndeshje me Realin, Ancelotti i rekordeve

Në sfidën ndaj Elches, Carlo Ancelotti mbushi plot 100 ndeshje në stolin e Realit të Madridit. 100 sfida këto rezultatet e të cilave tregojnë më së miri punën e shkëlqyer që ka bërë tekniku italian gjatë kësaj periudhe në krye të Los Blancos.

Që nga takimi i parë ai sezonit të kaluar në La Liga ndaj Real Betis dhe deri te sfida e 100-të ndaj Elches me 4 trofe të fituar në mes Ancelotti ka kapur qiellin por në disa raste edhe fundin.

Por pavarsisht ndonjë humbjeje më shumë se cduhet ndaj Alteticos së Madridit në derbi, 100 ndeshjet e para të 55-vjecarit në drejtimin e Realit mund të konsiderohen më shumë sesa pozitive.

Me fitoren 2:0 ndaj Elches, Ancelotti u shndërrua në trajnerin që ka bërë më mirë gjatë gjithë historisë së klubit merengues në 100 sfidat e para. Në stadiumin Martinez Valero mbrëmjen e të dielës, italiani arriti fitoren numër 78 me Realin ndërkohë që regjistron edhe 10 barazime dhe 12 humbje.

Rezultate këto që tregojnë se Ancelotti ka bërë një punë shumë më të mirë edhe se Jose Mourinho në 100 ndeshjet e tij të para me Los Blancos. Portugezi u ndal në kuotën e 77 sukseseve ndërkohë që pas Ancelottit dhe trajnerit aktual të Chelsea-it, pozicionohet Miguel Munoz me 70 triumfe në 100 sfidat e para në drejtimin e klubit mbretëror.

Por 55-vjecari italian nuk ka mundur vetëm Mourinhon por edhe Pep Guardiolën. Ky i fundit shkruajti historinë gjatë 4 sezoneve që drejtoi Barcelonën por në 100 ndeshjet e tij të para me skuadrën blaugrana nuk arriti më shumë se 71 fitore.

Shumë i kënaqur për rezultatet që ka marrë në këto 100 ndeshje në krye të kampionëve të Europës u shfaq edhe vetë Ancelotti. Ish trajneri i Paris Saint Germain theksoi se do të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë madje akoma edhe më mirë në 100 sfidat e ardhshme me Realin. Fjalë këto që të bëjnë të mendosh se tekniku italian do të qëndrojë në krye të klubit madrilen paktën edhe për 2 sezone të tjera.