10 milionë arsye për të besuar

Shqipëri-Zvicër, qershor 2016, Marsejë. Në stadiumin ku kapiteni i Shqipërisë është një njeri i familjes, ndeshja përfundon 1:1. Lorik Cana thërritet në kor nga shqiptaret, francezët e helvetët, ndërsa Taulant e Granit Xhaka autorët e golave do të përqafohen, teksa vellai i vogël do ta shohë te madhin në sy e do klithë: ia dolëm edhe ne! Por këtë radhë me flamurin tonë… …

Kjo është pak a shumë ëndërra e 10 milionëve shqiptarëve që në 18.00 me sytë nga fusha dhe nga Zoti do të luten që betejën e centimetrave ta fitojmë ne. Vija që ndan historinë, është ajo fatale armene, që ruhet nga një 41-vjeçar që nuk do ta kuptojë kurrë se përse futbolli është kaq i rëndesishëm për një komb, që për “flamur” ka zgjedhur të luftojë me një armë shumë të vështirë, sportin.

Parisi, Marseja, Lioni, apo kushdo qofte fundi i një rrugëtimi që zgjat prej dekadash kalon nga mbremja e sotme. Pa asnjë hiperbolë fataliste kjo është mbrëmja e historisë. Është ndeshja e së shkuarës e së ardhmes, është ndeshja e brezave, të moshuarve, të rinjve dhe fëmijëve, është ndeshja e Plisave, Shvercerave, Dardanëve, Flotës Kuqezi, Ukjqërve të Dëborës, Fanaticsave dhe Guerrilsave. Është ndeshja e shqiptarit të vuajtur që rreket të mbajë frymën gjallë, emigranit që jeton cdo ditë të jetës jashtë kufijve me flamurin mbi kokën e krevatit, është ndeshja e atyre që fatkeqësisht kanë ikur dhe nga Lart me një shall kuqezi do të bëjnë tifo njësoj sikur të ishin në një stol te kuq apo të zi të stadiumit tonë të ri. Kjo është ndeshja e të gjithë atyre që nuk kanë reshtur së besuari se një ditë edhe ky flamur do te jetë atje, në oborrin e madh të një futbolli, ku në të shkuarën nuk kemi guxuar të ëndërrojmë.

Ka gjithnjë një aksiomë te pavërtetuar në futboll, dhe jo vetëm, se nëse te gjithë bashkohen për një qëllim me të njëjtën dashuri herët a vonë shpërblimi do të jetë një çështje kohe. Meqënëse si kurrë më parë jemi bashkuar përreth të njëjtit flamur dhe meqënëse si më parë cdo shqiptar mund të përfaqësohet si një Shqipëri e madhe vetëm në këtë fanelë, Armenia vjen në ditën, vendin dhe momentin e duhur. Një fitore na hedh një hap drejt ëndrrës së Panos, Mingës, Demollarit, Tares e Lalës.

Lart apo Poshtë, optimistë, cinikë, apo nihilistë qofshin idhujt e së shkuarës do të ulen njësoj si 10 milionë shqiptarët e tjerë për të parë heronjtë e sotëm. Një grup djemsh të shpërndarë nëpër Botë, por të bashkuar përreth të njëjtit flamur do të tentojnë mrekullinë. Meqënëse duhet te jetë eksluzivisht një “Albanian job”, atëhere kemi dhe një tjeter shqiptar, De Biazin. Është momenti kur e shkuara të bëhet xheloze. Këta të sotmit kanë shansin per te hyrë në histori!

Futbolli nuk ka shumë ndryshime me jetën. Është pothuajse njësoj si trajektorja e qeses në të famshmin “American Beauty”, një ulje ngritje e vazhdueshme derisa te arrihet maja. Ashtu si në jetë, edhe në futboll nuk duhet vetëm talent dhe cilesi. Duhet Zemër e madhe, pasion, vetë besim… Dhe kurajo. Sidomos kjo e fundit. Nëse e ke humbur këtë gjë, do të thotë që ke humbur gjithcka.

Ndeshja e sotme i ngjason “Çdo të diele të mallkuar”, thrilerit me autor Al Pacinon, ku De Biazit i duhet të imitojë fjalimin drithërues holluviduian për t’i bindur të besuarit se kjo është ndeshja më e rëndësishme e jetës së tyre. Kjo është praktikisht edhe ndeshja më e rëndësishme e tij. Ne nuk duhet të besojmë vetëm sepse si ballkanas te pandreqshëm guxojmë të ëndërrojmë edhe kur nuk kemi asnjë shans. Ne duhet te besojmë, sepse në 4 muaj mundëm Portugalinë, barazuam me Danimarkën, për sa u luajt futboll morëm një pike në Serbi, shtangëm Francën dhe bëmë Italinë të vuajë. Nga këto 5 ndeshje, vetëm një luajtëm në Shqipëri. Ne duhet të besojmë se sot më shumë se asnjëhere kemi te pakten 20 lojtare që luajne rregullisht kampionate prestigjoze e madje dhe në champions, ne dhhet të besojmë qofteë dhe se sot kemi një stadium që deri një edicion më parë nuk e kishim. Ne duhet të besojmë, sepse sot ne besojmë se pas 70 vitesh futboll të madh ne nuk kemi asgjë më pak sesa kundershtari….

Taulant Xhaka ka pozuar në versionin selfie dhe foton pas fitores me Armeninë ia nis vëllait te Zvicrës via Viber. “Shihemi në Marsejë”, vjen nga ana tjetër, ndërkohë që të njëjtën përgjigje merr dje Cana nga babai i tij. “Shihemi në Marsejë”, të thonë edhe familjarët e Berishës, prinderit nga Kavaja te Cikalleshit, tifozët azerë te Agollit, nipi i Hysajt apo e ëma e Lilës. “Shihemi ne Marsejë”, thotë dhe bashkëshortja e de Biassit, apo djali i Dukës. Jo rastësisht në Marsejë. A nuk është ish-toka futbollistike e kapitenit kuqezi të rritur në Zvicër, simboli më i bukur i Europianit për të ngritur flamurin më të bukur ne Botë? Ne kemi 10 milionë arsye për të besuar! (sportal.al)