​Baku 2015: Ekspertë ndërkombëtar përgatisin sportistët kosovarë

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, thotë se institucioni që ai e drejton e ka strategjinë, përmes së cilës sportistët kulmorë kosovarë do të bëjnë ushtrime specifike me ekspertë të njohur.

Ai tregon se kah fillimi i marsit me 2 ose 3 në Kosovë do të qëndrojnë anëtarët e Solidaritetit Olimpik, me të cilët do të bëhet nënshkrimi i kontratave dhe më pas do të nisë gjithçka.

“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim. E kemi strategjinë, por edhe paratë. Do ta nënshkruajmë kontratën me përfaqësuesit e Solidaritetit Olimpik, ndërsa trajnerëve të sportistëve me norma olimpike u mbetet të na sjellin planin e punës, i cili më pas do të miratohet”, tregon Hasani për “Zërin”.

“Do të sjellim ekspertë të njohur në vend për t’i përmirësuar performancat e sportistëve, por do t’i dërgojmë po ashtu sportistët tanë në vende të tjera, ku ekziston një infrastrukturë superiore për t’u përmirësuar. Duhet të punojmë, sepse duhet të japim llogari për përmirësimin apo jo të performancave të sportistëve”, përfundoi ai.