Zyrtari i UEFA-s u prit nga MKRS-ja, e pati këtë kërkesë për Kosovën

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Leonora Morina-Bunjaku ka pritur sot në takim Thierry Favre, shef i Divizionit të Federatave Kombëtare të UEFA-së me të cilin ka biseduar për projektet e realizuara deri më tani si dhe për projektet që e presin në të ardhmen FFK-në.

Në këtë takim, ku morën pjesë edhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, presidentin e FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, zëvendësministrja Morina-Bunjaku u shpreh se MKRS-ja do të jetë e gatshme për të bashkëpunuar me UEFA-në për ndërtimin e Stadiumit Nacional dhe 6 fushave ndihmëse të futbollit.

Zëvendësministrja e informoi përfaqësuesin e UEFA-së që në koordinim me FFK-në investon në projekte kapitale dhe e përkrah drejtpërdrejtë futbollin në baza të rregullta vjetore.

“Në emër të MKRS-së premtova bashkëpunim dhe krijim të infrastrukturës me standarde evropiane, përderisa talenti dhe të arriturat në futbollin e Republikës së Kosovës nuk mungojnë”, tha Morina-Bunjaku.

Ndërsa, Thierry Favre, tha se tashmë pasi Kosova është pranuar në UEFA dhe FFK-ja po angazhohet në avancimin e sportit të futbollit, mbetet që Kosova të fokusohet në investimin në infrastrukturë dhe në nxjerrjen e talenteve të reja.