ZYRTARE: Scholes jep dorëheqje pas 31 ditësh

Ish-mesfushori i Manchester United dhe Anglisë, Paul Scholes, ka braktisur pozicionin e tij si trajner i Oldham Athletic pas vetëm 31 ditësh.

44-vjeçari e mori në dorë skuadrën më 11 shkurt dhe e drejtoi atë për vetëm shtatë ndeshje, nga të cilat fitoi vetëm një.

“E kuptova se nuk do të isha në gjendje të punoja siç doja dhe siç kishim rënë dakord para se të pranoja ofertën”, ka thënë Scholes.
Skuadra ishte në vendin e 14-të të renditjes para se Scholes të merrte drejtimin dhe është në të njëjtin vend pas largimit të tij.

Ndeshja e fundit e tij si trajner ka qenë një humbje 2-0 kundër kryesuesve të Lincoln të martën.

“Shpresoja që të paktën ta çoja deri në fund kontratën 18-mujore si trajner i klubit që kam mbështetur gjatë gjithë jetës sime. Tifozët, lojtarët, miqtë dhe familjarët e mi e dinë sa krenar dhe entuziast isha për këtë detyrë”, ka shtuar ai.

“I uroj tifozëve, lojtarëve dhe stafit, që kanë qenë të jashtëzakonshëm, më të mirat për pjesën e mbetur të sezonit. Do të vazhdoj ta ndjek dhe ta mbështes klubin si tifoz”.