Zyrtare: Pezullohen këta dy futbollistë për ndeshjen Izrael – Shqipëri

Nuk është vetëm ambienti i Kombëtares shqiptare ai që zien pas polemikave të shpërthyera së fundmi rreth largimit të Taulant Xhakës.

Edhe rivali i kuqezinjve në grupin e eliminatorëve të Botërorit, Izraeli, po përjeton një situatë thuajse të ngjashme. Ndryshimi është se në rastin e izraelitëve, trajneri Elisha Levi ka vendosur të përjashtojë dy futbollistë që kanë ngritur zërin më shumë se sa duhet rreth mosaktivizimit të tyre.

Sulmuesi Tomer Hemed dhe portieri Ariel Harush, shprehën hapur pakënaqësinë që mbetën jashtë formacionit në ndeshjen kundër Spanjës në Gijon, të humbur me shifrat 4-1. “Nuk duroj më, jam i zhgënjyer me Elisha, nuk e kuptoj se pse nuk jam në formacion”, ishin fjalët e 29-vjeçarit Hemed i cili aktivizohet me Brajton&Hove në Angli.

Edhe Harush tha një mendim të ngjashëm për faktin se vendi në portë i besohej Ofir Marçianos dhje jo atij. Trajneri Elisha Levi, bëri të qartë se nuk do të toleronte sjellje të tilla ndaj doli menjëherë me një komunikatë për shtyp.

“Gjatë 48 orëve të fundit, dy lojtarë të ekipit kombëtar, Ariel Harush dhe Tomer Hemed, i kanë lejuar vetes të bëjë publikisht kritika, përveç faktit që kanë shprehur frustracion personal.

Kjo është një lloj kritike e papranueshme në nivele profesioniste dhe dëmton ambientin në dhomat e zhveshjeve dhe skuadrën. Ata që ankohen për minutat që u rezervon trajneri në fushën e lojës si fillim duhet të jenë më të kujdesshëm rreth të mirës së Kombëtares së Izraelit.

E kam bërë të qartë se në rast se do të kishte sjellje të papërshtatshme nga një lojtar, do të merreshin vendimet e duhura. Ndaj unë kam vendosur të pezulloj Harush dhe Hemed nga Kombëtarja e Izraelit për ndeshjen kundër Moldavisë (miqësore) dhe Shqipërisë”, deklaroi Levi.

Kësisoj, të dy futbollistët nuk do të grumbullohen në qershor kur do të luhen këto ndeshje, ndërsa mediat izraelite spekulojnë se tashmë mund ta cilësojnë të mbyllur karrierën e tyre me kombëtaren ku edhe në të kaluarën nuk janë toleruar sjellje të tilla.