Zyrtare: Nga Partizani në Leeds United (FOTO)

Kaleb Ekuban ishte një nga zbulimet  e Kategorisë Superiore në sezonin e fundit.

Ganezi erdhi tek  të kuqtë në formë huazimi nga Kievo gjatë merkatos  verore të 2016-ës, 23 vjecari italian me origjinë ganeze,  shënoi 17 gola në kampionat, duke qenë golashënuesi më i mirë i Partizanit dhe i dytë i kampionatit pas Pero Pejicit të Kukësit.

Forma fantastike që shfaqi në futbollin shqiptar i dha mundësinë për të shkuar tek Leeds United që militon në Championship në Angli. 500 mijë sterlina fitoi Kievo nga shitja e tij. Tani ai vijon stërvitjen me ekipin e tij të ri në Austri, nga ku ka folur për mundësinë e artë që i është dhënë për të luajtur në Angli.

“Do të jetë një eksperiencë e re për mua. Championshipi është një kampionat i fortë, shumë më i fortë se Superliga e Shqipërisë. Për këtë jam i qartë. Mendoj se edhe futbollistët e Serisë A do ta kishin shumë të vështirë përshtatjen në Championship, por unë e di që mund t’ia dal në këtë kampionat”.

Ekuban  ka zbuluar se kishte vendosur për të mos qëndruar tek Kievo dhe se nuk ishte menduar dy herë për të pranuar ofertën e Leeds.

“Kam ëndërruar të luaj në Championship dhe në Premier Ligë që kur isha fëmijë. Kur më erdhi mundësia për t’u transferuar në Angli, thashë me vete: Ky është rasti. Lids është një klub i madh me ambicie për t’u kthyer një skuadër e madhe. Do të jem pjesë e një lige të fortë, por nëse arrij të kap ritmin, nuk besoj se do të kem probleme fizike. Shpresoj të marr ftesë edhe nga Gana, ajo është zgjedhja ime, edhe pse jam rritur në Itali”.

Por largimi i tij ndikoi shumë tek Partizani për ndeshjet e Europa Ligës, pasi u mundën në të dy ndeshjet nga Botev Plovdiv. /Sportal.al