ZYRTARE: Mbrojtësi shqiptar i Maqedonisë Veriore prezantohet te skuadra e re

Visar Musliu gjatë ditës së sotme është prezantuar me fanellën e skuadrës së tij të re, MOL Fehérvár FC, njofton “infOSport.mk”. 

Bëhet fjalë për skuadrën nënkampione të Hungarisë, e cila këtë vit dëshiron të rikthejë titullin e humbur vitin e kaluar nga Ferencvarosh. Me Musliun në mbrojtje, drejtuesit e skuadrës hungareze shpresojnë të arrijnë një gjë të tillë, ndërsa vetë Musliu i impresionuar nga qyteti dhe mikpritja, në deklaratën e tij të parë si futbollistë i MOL Fehérvár FC, tha se mezi pret të zbret të luaj në fushën e “MOL Arena Salt Lake”.

“Jam i lumtur që arrita të bashkohem me ekipin e MOL Fehérvár FC. Kohët e fundit kam mbledhur shumë informacione për ekipin, përfshirë këtu Boban Nikolov, të cilin e njoh shumë mirë për gati dhjetë vite, duke luajtur gjysmë viti te Vardari, por prej vitesh ishim shokë të skuadrës me ekipet kombëtare. Unë e pash edhe qytetin, me të vërtetë më pëlqen shumë, dhe “MOL Arena Salt Lake” është një arenë marramendëse, nuk mund të pres që të futem në të” – tha Visar Musliu pas prezantimit të tij si futbollistë i MOL Fehérvár FC.

Musliu te MOL Fehérvár FC u transferua nga rradhët e Shkëndijës, për të cilën skuadër zhvilloi 62 paraqitje (43 kampionale, 7 në Kupë dhe 12 në Europë), duke shënuar 9 gola (6 në kampionat dhe 3 në Kupë).

Ndryshe në futbollin vendor Musliu numëron 159 paraqitje dhe 16 gola, duke pasur parasysh se kishte luajtur edhe me Renovën dhe Vardarin.