Zyrtare: Ky futbollist e lë Zvicrën për Kosovën

Ardhjet e reja te Kosova nuk kanë të ndalur. Florent Hadërgjonaj dhe Ylli Sallahi do t’i bashkohen shpejt Përfaqësueses.

Përzgjedhësi Albert Bunjaki i konsideron ata si lojtarë të rëndësishëm për të ardhmen e ekipit të tij. Ndërkohë, skuadra më e re evropiane është në pritje edhe të Përparim Hetemajt, i cili tashmë e ka marrë vendimin, por edhe të Adnan Januzajt, i cili është “zhdukur” muajt e fundit

Përfaqësuesja e Kosovës po vazhdon të pasurohet dita-ditës. Pas Sinan Bytyqit e Atdhe Nuhiut, skuadra më e re evropiane, shumë shpejt do të mundë të llogarisë edhe në dy yje të së ardhmes, shkruan sot gazeta Zëri.

Bëhet fjalë për Florent Hadërgjonajn dhe Ylli Sallahin. Mbrojtësi i djathtë, me vlerë 3 milionë euro, i cili aktualisht luan në skuadrën gjermane, Ingolstadt, e pati një karrierë të suksesshme në futbollin zviceran, ndërsa deri tash ishte pjesë e ekipit U-21 të Zvicrës.

Megjithatë, përzgjedhësi Albert Bunjaki thotë se ka kontaktuar së fundmi me lojtarin, i cili është i gatshëm të luajë për Kosovën.

“Kemi biseduar me Florentin dhe ai e ka shprehur gatishmërinë për të luajtur për Kosovën. Gjasat janë të vijë të luajë kundër Turqisë, por ndoshta edhe ndaj Islandës. Është një lojtar që na nevojitet, është e ardhmja e futbollit, një lojtar shumë interesant”, ka thënë Bunjaki.

Gjithashtu, ai ka konfirmuar se edhe ish-futbollisti i Bayern Munichut, tash pjesë e Karlsruher, do të jetë pjesë e Kosovës.

“Edhe me Yllin kemi biseduar dhe edhe ai do të na bashkohet”, ka shtuar Bunjaki. Sallahi ishte pjesë e Përfaqësueseve të reja të Austrisë, por ka vendosur t’i bashkohet vendit të prindërve të tij.

Gjithashtu, Bunjaki ndihet i lumtur që tash e tutje do të mund të llogarisë në sulmuesin Atdhe Nuhiu, me të cilin thotë se ka pasur kontakt tash e disa vite. Ai e konsideron lojtarin mjaft të rëndësishëm për skuadrën e tij, pasi synon të ketë konkurrencë të fortë në çdo pozitë.

 

Në pritje të Hetemajt

Një tjetër futbollist të cilin është duke e pritur Kosova tash e sa kohë është edhe Përparim Hetemaj. Futbollisti drenicas nuk pranoi të luante për Finlandën ndaj Kosovës në ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin e Rusisë. Tash, futbollisti e ka marrë vendimin dhe do ta publikojë shumë shpejt. Kosova ende shpreson.

“Kam biseduar edhe me Përparimin. Ai do ta lëshojë një komunikatë shumë shpejt, përmes së cilës do ta tregojë vendimin e tij përfundimtar. Nuk mund të them nëse do të luajë apo jo për Kosovën”, ka vazhduar Bunjaki.

A po vjen Januzaj?

Adnan Januzaj është “zhdukur” në muajt e fundit. Drejtuesit e FFK-së, por edhe Bunjaki janë munduar ta kontaktojnë, mbi të gjitha pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Përzgjedhësi thotë se nuk ka ende asnjë informatë në këtë drejtim, derisa është në pritje që Adnani të bëhet “i gjallë”.

Pasi Belgjika nuk po llogarit më në të, është e pashpjegueshme se cila ka mundur të jetë arsyeja që futbollisti i Manchester Unitedit, i huazuar në Sunderland, nuk iu bashkua Kosovës.

Sidoqoftë, pasi nuk ka luajtur në Evropianin e Francës, ai ka ende kohë ta bëjë një gjë të tillë.

Pas pranimit në UEFA e FIFA, Kosovës iu bashkua një numër i konsiderueshëm lojtarësh, përpos atyre që luajtën në Evropian.

Dhe, forca e ekipit verdhekaltër u demonstrua në debutimin e tij në eliminatoret e Botërorit 2018, ku shfaqi lojë të shkëlqyer, duke barazuar me Finlandën 1:1. Dyert e Kosovës janë të hapura, për të gjithë.