Zyrtare: Kosova merr pjesë në kualifikime

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e mbajtur më 28 tetor 2015, diskutoi për pikat e rendit të ditës dhe ndër të tjera miratoi këto vendime:

Bordi vendosi që Kuvendi i Punës i FBK-së të mbahet më 21 nëntor 2015. Për kohën dhe vendim e mbajtjes së Kuvendit delegatët do të njoftohen me kohë nga ana e zyrës së FBK-së, që obligohet të përgatisë edhe të gjitha dokumentet e nevojshme.

Bordi miratoi në parim dhe përmbajtjen e propozim ndryshimeve për statutin e FBK-së, që do të hedhen në votim në Kuvend.

Bordi vendosi që Kosova të marrë pjesë në kualifikimet për Eurobasket 2017, shorti për të cilat do të hedhet më 22 janar në Munih. Bordi autorizoi Kryetarin e FBK-së, Erolld Belegu që të vazhdojë negociatat me trajnerin Arben Krasniqi dhe në afat sa më të shpejtë të konsolidohet shtabi teknik i Përfaqësueses A dhe të hartohet një plan i punës për këtë përfaqësuese.

Pas nominimit për pjesëmarrje të Përfaqësueseve U16, U18 dhe U20 në Kampionatet Evropiane për grupmoshat përkatëse, Bordi vendosi që të nominoj për pjesëmarrje në Kampionat Evropian edhe Përfaqësuesen U16 të femrave.

Bordi vendosi që FBK nga mjetet vetanake të mbulojë shpenzimet e personave zyrtarë edhe për ndeshjet e xhirove VII – XIV të Superligës së Kosovës.

Bordi diskutoi edhe për ndarjen e drejtësisë në ndeshjet e Superligës dhe edhe vendosi që gjyqtarëve t’ua tërheq vërejtjen për të qenë më të vëmendshëm dhe më korrekt në sjelljet e tyre dhe qasjen në ndeshjet e elitës së basketbollit të Kosovës.