ZYRTARE: Korenica prezantohet te Shkëndija

Shkëndija angazhon mesfushorin 18-të vjeçar nga Kosova, Meriton Korenicën, i cili vjen si talent i madh nga radhët e Rahovecit.

Mesfushori kosovar Meriton Korenica është futbollist i ri i Shkëndijës. 18-të vjeçari përfundimisht ka firmosur me ‘kuqezinjtë’, pas përshtypjeve pozitive që la gjatë periudhës së testimeve në formacionin e Shpëtim Duros. Vjen nga radhët e Rahovecit me të cilët ka luajtur në kategorinë e dytë të futbollit kosovar, ndërsa nuk fsheh kënaqësinë që bëhet pjesë e ekipit të Shkëndijës.

korenica

“Jam shumë i kënaqur sepse kjo është kontrata ime e parë profesionale që kam nënshkruar me një klub. Shpresoj të kem sukses si në aspektin personal, ashtu edhe me klubin tim të ri”, deklaroi Meriton Korenica pas firmosjes së kontratës me Shkëndijën.

Bëhet fjalë për talent të madh i cili me punë të sistematizuar pritet të rritet në mesfushor kualitativ dhe modern. Kontroll të jashtëzakonshëm të topit, talent në driblim, goditje të fortë dhe precize, ekzekutim të shkëlqyeshëm të gjuajtjeve standarde, kontroll të lojës me dhe pa top, janë një pjesë e cilësive të Korenicës. Ai vitin e kaluar edhe pse 17-të vjeçar, ndihmoi Rahovecin të ngjitet në Ligën e Parë (Kategoria e Dytë) të Kosovës. Te Shkëndija vjen si talent, por me pritje për të rritur në futbollist cilësor që do të jetë bartës i lojës së ekipit të parë.

Korenica është edhe pjesë e Përfaqësueses U-19 të Kosovës. /Gazeta Olle/