Zyrtare: Futbollisti i Përfaqësueses A dërgohet te grupmoshat U-21

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e muajit qershor.

Fillimisht, Kosova do të përballet me Malin e Zi më 7 qershor, ndërkaq tre ditë më vonë me Bullgarinë.

Të dyja ndeshjet, Kosova do t’i zhvillojë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian “Euro 2020”, ku “Dardanët” gjenden në grupin A.

Image

Ndërkaq, emri i sulmuesit Lirim Kastrati nuk ka figuruar në listën e publikuar nga Bernard Challandes.

Sulmuesi i Lokomotivës së Zagrebit është dërguar te grupmoshat U-21 të Kosovës, skuadër të cilën e drejton trajneri Rafet Prekazi.

Lajmin në fjalë e ka konfirmuar ndihmës-trajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, i cili thotë se ky vendim është marrë për shkak se Kastrati ka nevojë të luajë.

“Lirim Kastrati ka nevojë që të luajë më shumë, andaj pasi që ka të drejtë, e kemi dërguar te grupmoshat U-21”, tha fillimisht Sahiti për Zëri.info.

Image

“Ky vendim është marrë pas koordinimit të dy trajnerëve (Challandes dhe Prekazi)”, shtoi Sahiti.

Risi e madhe në listën e Challandes janë edhe ardhjet e dy futbollistëve Ibrahim Dresheviç dhe Ylldren Ibrahimaj, për të herë të parë në Përfaqësuese.

Image

Dhe Sahiti thotë se Përfaqësuesja i ka monitoruar më herët këta dy futbollistë, por që nuk e ka bërë publike.

“I kemi monitoruar këta dy futbollistë qysh më herët, por që nuk kemi dashur t’i bëjmë publike. Janë dy futbollistë cilësor, dhe Përfaqësuesja është e hapur për futbollistë të tillë”, potencoi Sahiti.

Image