Zyrtare: Futbollisti i Kosovës largohet nga Shqipëria

Tashmë është edhe zyrtare. Donjet Shkodra nuk është më pjesë e Kukësit.

Klubi i Kukësit me një njoftim në faqen zyrtare ka bërë të ditur se Shkodrës i ka përfunduar kontrata dhe prej ditës së sotme mund të zgjedhë një klub të ri për të vazhduar karrierën.

Shkodra u transferua te Kukësi dimrin e kaluar dhe në 6 muajt e tij të parë bëri paraqitje të shkëlqyera me skuadrën që në atë periudhë drejtohej nga austriaku Peter Pacult. Me largimin e Pacult dhe marrjen e drejtimit nga Armando Cungu, Shkodra nuk kishte më të njëjtën peshë në skuadër duke humbur pikë dhe për një periudhë të shkurtër u kthye në një lojtar stoli madje për disa ditë u përjashtua edhe nga skuadra e parë.

“Donjet Shkodra zyrtarisht nuk është më pjesë e skuadrës së FK Kukësit. Marrëveshja mes klubit tonë dhe kosovarit ka përfunduar. 29-vjeçari, i cili iu bashkua skuadrës sonë gjatë sezonit të kaluar, është aktivizuar në 46 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke arritur të shënojë 3 gola.

FK Kukësi falënderon Donjet Shkodrën për kontributin e dhënë me skuadrën tonë dhe i uron suksese në karrierë!”, thuhet në njoftimin e Kukësit, përcjell Gazeta Olle.