ZYRTARE: FFK merr vendimin për ndeshjen Vitia – 2 Korriku, ku u inkuadrua lojtari pa të drejtë loje

Komisioni i Garave i Ligës së Parë të Kosovës në futboll në përbërje Ismet Ahmeti, Isuf Ajeti, Abdyl Bellopoja me rastin e regjistrimit të ndeshjeve konstatoi se KF 2 “Korriku” ka ushtruar ankesë në parregullsinë e ndeshjes të Ligës së Parë ndërmjet KF “Vitia” – KF “2 Korriku”, andaj konform nenit 63 të Propozicioneve të Garave e nxori këtë:

V E N D I M

Miratohet ankesa e KF “2 Korriku” si e bazuar dhe ndeshja e javës së 21-të të Ligës së Parë ndërmjet të KF “Vitia” – KF “2 Korriku” regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “2 Korriku”.


ARSYETIM

Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF “Vitia” – KF “2 Korriku” e vlefshme për javën e 21-të të Ligës së Parë konstatoi se KF “2 Korriku” ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit të KF “Vitia”, Ylli Fazlia me nr lic dhe ID 009819M97 për shkak se lojtari është aktivizuar në lojë pas 4 kartonëve të verdhë.

Gjatë administrimit të provave Komisioni i Garave ka konstatuar se: Ankesa është e afatshme, e lejuar e taksuar dhe i përmbush të gjitha kushtet për shqyrtim dhe vendimmarje nga Komisioni i Garave Pas administrimit të të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se:

Pas shikimit dhe verifikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve KG ka vërtetuar se lojtari i lartpërmendur ka qenë i ndëshkuar me kartonë të verdhë në javën e 7, javën e 14, javën e 15 e javën e 20 dhe është dashur të pushojë në javën e 21-të. Por i njëjti është aktivizuar në lojë, andaj kemi shkelje të Propozicioneve të Garave pikërisht të nenit 53 paragrafi 1, prandaj ankesa e KF “2 Korriku” miratohet si e bazuar dhe ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 për KF “2 Korriku”.

Po ashtu Komisioni i Garave konform nenit 76, paragrafi 4 të Rregullores së Garave përveq regjistrimit të ndeshjeve me rezultat zyrtar inicion procedurë edhe kundër klubit kryetrajnerit dhe lojtarit të KF “Vitia”.

Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.