Zyrtare: Elis Bakaj me ekip të ri

Elis Bakaj te Vllaznia, më në fund Armando Cungu ka përforcimin e kërkuar aq shumë në merkato.

Në Shkodër nuk e kanë lënë t’u shpëtojë asistin e ardhur nga bllokimi i merkatos së Tiranës duke realizuar transferimin e sulmuesit 29-vjecar.

Bakaj shkon te Vllaznia në bazë të një marrëveshjeje për 6 muajt e ardhshëm me opsion rinovimi për vitin pasardhës. Në të tilla raste thuhet i duruari i fituari, por shprehja nuk do të kishte marrë vlerë pa një ndërhyrje nga jashtë shkruan “Supersport”.

Ka qenë në fakt investimi i një donatori që ka bërë të mundur gjithçka, admiruesi i Vllaznisë i cili ka preferuar të mos bëjë publik emrin e tij ka dhuruar fondin financiar të nevojshëm për të plotësuar hendekun mes kërkesës së Bakaj-t dhe ofertës së Vllaznisë që në këtë mënyrë do të paguajë aq sa kishte vënë në pjatë që në tratativat e mëparshme me futbollistin.

Afrimi i tij përforcon ndjeshëm potencialin sulmues të Vllaznisë që gjen papritmas përforcimin ideal me një lojtar që e njeh mirë kampionatin, vjen në formën e duhur fizike pasi ishte përgatitur për të qenë në fushë që këtë të shtunë me Tiranën, dhe karakteristikat e të cilit i shkojnë për shtat edhe publikut në Shkodër.

Bakaj nga ana e tij ka gjetur destinacionin e duhur për të vijuar karrierën për pjesën e mbetur të sezonit pasi u gjend papritmas në udhëkryq pak ditë para përfundimit të merkatos. Cungu gjen përforcimin e kërkuar dhe Bakaj qetësinë e nevojshme, të gjithë të kënaqur, natyrisht me përjashtim të Tiranës.