Zyrtare: Dështon miqësorja Kosova-Burkina Faso

Ndeshja miqësore ndërmjet përfaqësueses së Kosovës në futboll dhe Burkina Fasos ka dështuar përfundimisht.

Lajmin për dështimin e miqësores, që ishte paraparë të luhet më 2 shtator në Prishtinë, e ka bërë të ditur të enjten mbrëma për gazetën kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri. Vokrri ka thënë se janë detyruar që ta anulojnë këtë miqësore për shkak se Burkina Faso nuk ka bërë ndryshimet e kërkuara nga FFK-ja.

“Jam detyruar të anuloj këtë ndeshje, pasi Burkina Faso pos dy ndryshimeve nuk ka bërë të tjera. Prandaj kjo ndeshje nuk do të luhet. Përzgjedhësi i Kosovës do të vazhdojë punën e tij. Ai do të organizojë një kamp të cilin edhe vetë e ka kërkuar. Të gjithë lojtarët do të jenë të pranishëm në këtë kamp dhe puna do të bëhet në grup”, ka thënë Vokrri, shkruan koha ditore.

Në fakt, ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Burkina Fasos ishte paralajmëruar që në korrik. Ishte federata e vendit afrikan që kërkoi miqësore, por më pas në FFK dërgoi listën me futbollistët e përfaqësueses U-23.

Kjo për FFK-në ishte e papranueshme që kërkoi që Burkina Faso të vijë me përfaqësuesen A. Burkina Faso bëri dy ndryshime në krahasim me listën e parë, ndërsa FFK-ja kërkoi që të bëhen ndryshime shumë më të mëdha dhe që Burkina Faso të vijë me përfaqësuesen A e jo me atë të 23-vjeçarëve.