Zhdrella pas miqësores së sotme: Me Llapin shpresojmë tri pozitat e para, Ballkani pritet ta ketë…

Sot është luajtur ndeshje miqësore në mes të Llapit dhe Ballkanit e luajtur në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë.

Pas 90 minutash, rezultati final i takimit ishte 1-1, shkruan Gazeta Olle.

Behar Maliqi shënoi nga penalltia për epërsinë e Llapit në pjesën e dytë. Kurse, krejt në fund rezultatin e barazoi i riu Bleon Sekiraqa.

20 minuta në këtë takim iu dhanë edhe kapitenit të Llapit, Mentor Zhdrella.

Ky i fundit për gazetën pas ndeshjes ka folur lidhur me skuadrën ku ai luan si dhe kundërshtarin e sotëm Ballkanin.

“Kemi një ekip të mirë, kemi bërë disa ndryshme dhe shpresojë t’i kapim tre pozitat e para në tabelë, gjithsesi jemi komponuar mjaft mirë dhe këtë edicion do ta shihni një Llap të fortë për çdo kundërshtarë”, tha fillimisht Zhdrella.

Kurse Zhdrella për Ballkanin tha se pritet ta ketë fjalën kryesore gjatë këtij kampionati.

“Ballkani ka një super ekip, besoj që do ta kenë fjalën e fundit këtë edicion lidhur me çështjen e titullit kampion, madje kanë në radhët e tyre një super-trajner që din çfarë bën në momente të caktuara”, shtoi ai.

E në këtë takim prezent ishte edhe këngëtari i njohur Mehedin Përgjegjaj i njohur si Meda.

Ky i fundit ka qenë me një menaxher gjerman, me të cilën kanë parë nga afër dy futbollistë të Llapit si dhe dy të tjerë të Ballkanit.

Lajmi për gazetën është konfirmuar edhe nga nënkryetari i Llapit, Amrush Batatina.

“Meda dhe një menaxher nga Klastruhe ishin sot në ‘Zahir Pajaziti’, ata panë nga afër dy futbollistë të Llapit si dhe dy të tjerë të Ballkanit”, tha shkurtimisht Batatina./Gazeta Olle