Zhdrella: Ekipi po ecën mirë, ndaj Feronikelit pos fitores jam i kënaqur edhe me një pikë

Nesër nga ora 14:30, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas do të zhvillohet kryendeshja e javës së 8-të, në Superligë.

Feronikeli si lider do të jetë nikoqir i Llapit që ka vetëm një pikë më pak se vendasit.

Gazeta Olle, sot ka kontaktuar me mesfushorin e njohur të Llapit, Mentor  Zhdrella.

Zhdrella si fillim ka folur për ecuri e Llapit në 7 xhirot e para.

“Ekipi është duke shkuar mirë, ne si lojtar do të jem aty që ta japim më të mirën dhe të funksionojmë si një kolektiv. Deri në këtë xhiro gjithçka ka shkuar mirë por na duhet edhe pak kamponim me ardhjet e shumta në skuadër e që kjo do pak kohë”, tha fillimisht Zhdrella.

Tutje, Zhdrella ka folur për takimin ndaj Feronikelit që pritet të jetë shumë i vështirë për ta.

Zhdrella ka thënë se për këtë takim do të ishte i kënaqur edhe me një barazim.

“Ndeshja ndaj Feronikelit do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, dihet cilësitë që ka si skuadër “Nikli” dhe që ka një nga ekipet më të mira në Superligë. Në këtë ndeshje do të futemi për fitore por do të isha i kënaqur edhe me një barazim”, tha kapiteni i Llapit.

Për fund, Zhdrella ka komentuar renditjen tabelore dhe luftën për titull kampioni.

“Në bazë të tabelës mendoj që renditja është reale duke parë forcat e ekipeve. Prishtina, Gjilani, Drita, Feronikeli dhe Ballkani besoi do të jenë skuadrat që do të luftojnë për titull së bashku me ne pasi cilësia mes tyre është e njëjtë.

Kujtojmë se Zhdrella ka qenë pjesë e Feronikelit më parë dhe e njeh mirë terrenin në “Rexhep Rexhepi”./GazetaOlle