Zeka: Turp, ja çfarë më bënë në Vushtrri

Sulmuesi i Feronikelit, Mevlan Zeka, është shprehur thellësisht i zhgënjyer me vendimin e Komisionit Disiplinor që e dënoi atë me tri ndeshje mos-lojë, pas kartonit të kuq të marrë në Vushtrri.

Në një prononcim për gazetën, ai thekson që u ofendua në mënyrën më të rëndë të mundshme nga portieri Burim Sadiku, derisa më pas u godit edhe me shuplakë nga Edon Pasoma.

“Kërkova penallti si çdo futbollist tjetër, ndërsa i pari që mu afrua ishte portieri, që më kërcënoi dhe më ofendoi në mënyrën më të rëndë të mundshme dhe më pas aktroi. Kur u zgjova erdhi Pasoma më goditi me shuplakë dhe gjyqtari na përjashtoi të dyve. A është normale kjo”, tha gjakovari për GazetaOlle.com.

“Po ta dija që një shuplakë kushton tri ndeshje, do t’ia ktheja edhe unë Pasomës. Megjithatë, unë e tregova karakterin tim dhe ata të vetin. Shpresoj që komisionet e FFK-së t’i shikojnë xhirimet dhe ta zvogëlojnë dënimin, sepse është totalisht i padrejtë”, shtoi Zeka.

Edhe pse nuk i ka zhvilluar të gjitha ndeshjet si startues, ish-sulmuesi i Vëllaznimit ka shënuar katër gola nën fanellën e Feronikelit këtë edicion.

12167495_1625418164375698_1651004098_n
Pikënisja e fjalosjes ndërmjet Zekës dhe Pasomës e Sadikut