Zbulohet paga e gjyqtarëve kosovarë për një ndeshje, a meritojnë më shumë?

Gjyqtarët e IPKO Superligës së Kosovës në futboll kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit, qoftë për shkak të sulmit që iu bë Meriton Berishës në Gjilan, qoftë për kritikat nga zyrtarët e disa skuadrave.

Pa dyshim që ata kanë shumë përgjegjësi, madje siç u vërtetua së fundi shpeshherë janë edhe të rrezikuar.

Por, sa paguhen gjyqtarët e Superligës së Kosovës në futboll?

Përgjigjen në këtë pyetje e ka dhënë në emisionin Favorit në T7, kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve në Federatën e Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani.

“Gjyqtari kryesor paguhet 200 euro, ndërsa asistentët nga 150 euro për ndeshje”, ka bërë të ditur Hasani.

“Kjo nuk është shumë e madhe, sepse në regjion gjyqtarët paguhen më shumë”, ka shtuar kreu i Komisionit të Gjyqtarëve”.