Zbulohet kur do të përfundojnë punimet në “Arenën Kombëtare”

Presidenti i FSHF, Armand Duka së bashku me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, kanë inspektuar vijimin e punimeve për përfundimin e stadiumit të ri kombëtar, “Arena Kombëtare”. 

Ata janë njohur me detaje të projektit dhe me një raport në lidhje me grafikun e përfundimit të punimeve në këtë impiant madhështor. Në këtë inspektim ata shoqëroheshin edhe nga specialistë dhe drejtues të firmave nënkontraktore, të cilat i kanë njohur me realizimet e deritanishëm dhe ecurinë e zbatimit të projektit në impiant.

Duke ndjekur ecurinë e punimeve, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, theksoi edhe njëherë domosdoshmërinë e përfundimit të të gjithë punimeve, në muajin qershor.

“Ne i kemi kërkuar vazhdimisht nënkontraktorëve, përmbushjen e afatit për përfundimin e punimeve në muajin qershor të këtij viti, gjë që e theksuam edhe në takimin e sotëm”- deklaroi numri 1 i FSHF.

Stadiumi i ri kombëtar, do të ketë një kapacitet prej 22.000 spektatorësh dhe padyshim është investimi më i madh sportiv i realizuar në Shqipëri.