Zbulohet data kur do të garojë Majlinda Kelmendi në Olimpiadën “Tokyo 2020”

Xhudistja pejane, Majlinda Kelmendi do të marrë pjesë në Olimpiadën e tretë në karrierë, ndërsa synon ta fitojë përsëri medaljen e artë olimpike në “Tokyo 2020”, njëjtë siç bëri edhe në “Rio 2016”

Tashmë është zbuluar edhe koha dhe datat e eventeve që do të mbahen në sporte të ndryshme në Lojërat Olimpike verore, të cilat do të mbahen në vitin 2020 në Tokyo të Japonisë, raporton Gazeta Express.

Ky eveniment i rëndësishëm do të fillojë më 24 korrik dhe do të zgjasë deri më 9 gusht të vitit 2020.

Në total, 33 sporte dhe 339 evenimente do të jenë pjesë e Olimpiadës, e cila do të zgjasë 17 ditë.

Në “Tokyo 2020” do të debutojnë disa sporte, ndërsa ceremonia hapëse do të jetë më 22 korrik.

Ajo çka na intereson ne është pjesëmarrja e garuesve kosovarë në Olimpiadë.

Për momentin nuk dihet se me sa garues do të përfaqësohet Kosova, por dihet gjithsesi se medaljen do ta kërkojë mbi të gjitha përmes garueses më të mirë të saj, Majlinda Kelmendi.

“Të dielën, më 26 korrik 2020, krejt sytë e xhudos do të jenë të fokusuar kah kampionia aktuale olimpike nga Kosova, Majlinda Kelmendi, e cila do të shpresojë ta mbrojë kurorën që e kishte fituar në Rio në vitin 2016”, shkruan “sportsnewsireland.com”.