Zbresin në fushë shqiptarët e Championsit

Baseli i kosovarëve Taulat Xhaka dhe Shkëlzen Gashi, luan sonte ndaj Portos në takimin që kërkon vetëm fitore për të bërë një hap të madh drejt çerekfinales.

Zviceranët nuk duan ta qojnë dëm mrekullinë e bërë në fazën e grupeve ku e eliminuan Liverpoolin, andaj kapiteni Marco Streller, mendon vetëm për fitore.

“Gjysma e shtabit tonë teknik janë portugez. Ata e njohin shumë mirë Porton dhe ne kemi besim të madh te ta. Po luajmë një futboll atraktiv dhe besoj që përmes kësaj loje, do ta fitojmë këtë ndeshje“, deklaroi Streller para takimit.

Në skuadrën portugeze preferojnë që ta heqin presionin e fitores, ku trajneri Julen Lopetegui shprehet në këtë ballafaqim nuk ka favoritë.

“Mendoj që në këtë ndeshje nuk ka favoritë. Baseli është një ekip i fortë dhe ka shumë përvojë. Është një takim i vështirë dhe ne e dimë që na duhen dy ndeshje shumë të mira për ta kaluar Baselin”, theksoi trajneri i Portos në konferencën për shtyp.

Vendësit pritet të jenë të kompletuar, me kosovarët Taulant Xhaka dhe Shkëlzen Gashi që pritet të luajnë nga minuta e parë. Kosovari tjetër, Arlind Ajeti, do ta nisë ndeshjen nga bankina.