Aziz Salihu emocionon: Ja çfarë më thanë mjekët

Ish-boksieri i mirënjohur, Aziz Salihu, fitues i medaljes së bronztë olimpike në vitin 1984 në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vikendin që e lamë pas, ka qenë në kontroll mjekësore në Stamboll. Ai është kthyer mbrëmë nga Stamboll.

“Edhe mjekët janë çuditur me gjendjen time! Sepse e dinë të gjithë se si kam shkuar atëherë në spital, ndërsa tani gjendja ime është krejtësisht tjetër”, tha Salihu për “Bota sot”.

“Ia arrita qëllimit, analizat më dolën mirë. Kjo është një kënaqësi. E falënderoj njeriun më të madh, z. Behgjet Pacolli, që më ka ndihmuar shumë, të cilit i jam mirënjohës. Luli i Mitrovicës më ndihmoj me 500 euro, më ka ndihmuar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, ‘Bini’, ‘Eurogoma’, ‘Fortesa’ etj.”, thotë Sportisti i Shekullit.

‘Zizi’ emocionon kur tregon se sa janë të kushtueshme analizat. “Vetëm analizat e gjakut me kushtuan 600-700 euro, si dhe të tjerat dhe të gjitha më dolën mirë. Edhe mjekët e Stambollit janë të befasuar me përmirësimet që kanë ndodhur tek shëndeti im. Ata më thanë se vetëm mrekullia e Zotit e ka bërë këtë, ndërsa unë ia ktheva: ‘Po, kjo është mrekullia e Zotit dhe e popullit tim që më do fort dhe më dha fuqinë’”, – tregon ‘Zizi’ pas analizave të fundit.

“Mjekët me thanë se duhet të jesh mjek i vetvetes. Ata me thanë se mund të jetosh edhe shumë vite. I falënderoj edhe dy mjekë turq, që janë si anëtar të familjes sime dhe me kanë nderuar shumë, pastaj aktoren shqiptare në Turqi, Mimoza Elezi, e cila ka qenë vazhdimisht pranë meje, po ashtu vajza ime, Monika me familjen në përgjithësi, po ashtu edhe shqiptarin Rexhep Çelik, që është në partinë e Rexhep Erdogan. Këta e shumë të tjerë me dhanë forcë për ta mposhtur sëmundjen. Mjekët me kanë thënë se edhe 20 ditë, do të shërohem plotësisht, kjo më bën të lumtur”, tregon Salihu, i cili është i gatshëm të kontribuoj për sportin e Kosovës.

“Jam sportisti i merituar dhe meritoj të kontribuoj aty ku mundem në sport. Të gjithë e dinë se Serbia më ka shkatërruar pasurinë, më kanë rrahur në kohën e okupimit. Tash nuk ia ndjen askujt për mua! Jam pa banesë! Megjithatë, më kanë premtuar disa miq që do më bëjnë shumë shpejt me banesë!”, tha Salihu.