Yll Hoxha drejt Partizanit?

Trajneri Sulejman Starova po bën të gjitha përpjekjet, për të ndërtuar sa më shpejt një skuadër kompetitive për të përballuar Europa League, atje ku të kuqtë rikthehen pas shtatë vitesh mungesë.

Yll Hoxha është një nga kandidatët e shumtë që përfliten se janë në kontakte me klubin e kuq. Mesfushori kosovar i Kukësit ka mbetur disi i pakënaqur me aktivizimin me nënkamapionët – 29 ndeshje, 1730 minuta në total (1 gol).

‘Sportal.al’ kontaktoi me zëdhënësin e klubit të Partizanit, Olsi Ranxhi, i cili pohoi shkurt se “për momentin nuk ka asnjë kontakt me lojtarin”.

27-vjeçari Hoxha aktivizohet prej 3 sezonesh me Kukësin, nga 2012-2013, dhe ka punuar nën urdhrat e Sulejman Starovës, në kohën kur tekniku ishte në Kukës, fillimisht si drejtor sportiv dhe më pas si trajner.

Hoxha ka një eksperiencë të mirë në Europa League, kompeticion ku ai numëron 10 ndeshje me Kukësin, si dhe ka shënuar një gol në fitoren 3-2 kundër Sarajevo-s në sezonin 2013-2014.