Yjet e Kosovës dhe Dardanët vijnë me befasi për fëmijët në QKUK

Të jashtëzakonshëm në fushë dhe tribuna, por edhe më të mëdhenj jashtë saj.

Tifozët e Kosovës, ‘Dardanët’ dhe futbollistët e Përfaqësueses (Valon Berisha, Milot Rashica, Lirim Kastrati dhe Visar Bekaj) po vazhdojnë me gjeste mjaft të mira jashtë fushave të blerta, shkruan GazetaBlic.

Me rastin e festave të fundvitit, lojtarët e lartëpërmendur dhe tifozët ‘Dardanët’ sot kanë vizituar Qendra Klinike Universitare të Kosovës, më saktësisht repartin e Pediatrisë – ku kanë shpërndarë dhurata për fëmijët e shtrirë në këtë spital.

Një gjest i madh që gëzoi shumë fëmijët – të cilët shfrytëzuan rastin të bisedojnë të bëjnë fotografi me idhujt e tyre.

Valon Berisha: “Një ndjenjë shumë e mirë. Ne kemi mundësi dhe do t’i ndihmojmë gjithmonë fëmijëve të sëmurë. Ishte një ndjenjë e mirë për ne si dhe për fëmijët”, tha kapiteni i Kosovës për ‘GazetaBlic’.

Milot Rashica: “Jam shumë i lumtur që po arrijë ndihmojë fëmijët së bashku me Dardanët. Është një ndjenjë mjaft e mirë, shpresojë që sa më shpejtë që të jetë e mundur fëmijët e shtruar në këtë spital të dalin dhe të jetojnë të lumtur”, tha Rashica për ‘GazetaBlic’.

Lirim Kastrati: “Kjo është një iniciativë mjaft e mirë dhe menjëherë kam pranuar ftesën e ‘Dardanëve’ për të ndihmuar fëmijët. Për ne kjo mund të jetë e vogël, por vlen shumë për fëmijët”, tha Kastrati për gazetën.