Xhudistet ‘pushtojnë’ podiumin në Uzbekistan, dy medalje të arta dhe një e argjendtë për një ditë

Tri xhudiste, tri medalje, dy të arta dhe një e argjendtë. – Ky është bilanci i medaljeve të fituara nga xhudistet tona në ditën e parë të Grand Prixit të xhudos, që po mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.

Majlinda Kelmendi dhe Distria Krasniqi shtuan nga 700 pikë Olimpike në kontot e tyre, ndërsa Nora Gjakova 490 sosh, pasi kjo garë vlen për pikë kualifikuese për Lojërat Olimpike Tokyo 2020.

Majlinda Kelmendi fitoi të artën pas rreth një viti e gjysmë pauze shkaku i lëndimit, ndërsa të parën për vitin 2018. Kampionia Olimpike u bë kampione në kategorinë deri 52 kilogramë, pasi mundi në finale me ippon zviceranen, Evelyne Tschopp. Në përgjithësi, Majlinda fitoi katër luftëra.

Nënkampionia e Evropës, Distria Krasniqi fitoi Grand Prixin e pestë në karrierën e saj. Krasniqi fitoi të artën në kategorinë deri në 48 kilogramë, pasi në finale mundi hungarezen, Eva Csernovicki. Edhe Distria fitoi katër luftëra.

Kampionia e Evropës, Nora Gjakova fitoi të argjendtën në kategorinë deri 57 kilogramë, pasi në finale u mund nga gjermanja, Theresa Stoll, ndërsa në përgjithësi fitoi tri luftëra.

Të dielën garon xhudistja jonë e katërt dhe e fundit, kampionia evropiane U-23, Loriana Kuka në kategorinë -78 kilogramë.

Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon suksesin e radhës të kampioneve tona me në krye mjeshtrin e këtij sporti, kampionin Olimpik, Driton Kuka.