Xhevdet Muriqi tregon se çfarë i thoshte në fushë Fadil Vokrri e Fadil Muriqi

Ish-futbollisti i gjeneratës së artë të KF Prishtina, të viteve 80-ta, Xhevdet Muriqi para ca ditësh ka qëndruar për një vizitë tek të afërmit e tij në Kumanovë.

Ai ende ruan kujtime të freskëta nga koha e artë e Prishtinës, tifozët e saj dhe shumë çka tjetër.

“Lajm” praninë e tij e ka shfrytëzuar për një rrëfim.

 Si ka qenë ndjenja të jesh futbollist i Prishtinës, skuadra e të gjithë shqiptarëve në atë kohë?

“Ka qenë kënaqësi dhe krenari, por edhe përgjegjësi të luash për Prishtinën. Kemi dhënë gjithçka nga vetja për të mbrojtur ngjyrat e klubit, i cili ishte në zemrat e të gjithë shqiptarëve, siç po thoni edhe ju. Jemi munduar ti kënaqim tifozët tanë të shumtë me lojë dhe fitore. Kemi pasur shumë tifozë edhe nga Maqedonia. Si futbollist nuk kemi menduar për gjë tjetër, por vetëm mos të koritemi para publikut tonë të zjarrtë”.

Domethënë, publiku ka qenë fantastik

“Publiku ynë ka qenë lojtari i 12-të. Në çdo ndeshje i kemi pasur nga 30 mijë shikues. Asnjë stadium nuk ka pasur më shumë shikues sesa në stadiumin e Prishtinës. Po ju tregoj një rast; Lojtarët e Velezhit nga Mostari janë frikësuar të luajnë në ambient të tillë. Futbollistët kryesor të tyre si Tuce, Kajtaz, Karabeg, janë shtirur para ndeshjes kinse janë të lënduar”.

Kundër cilës skuadër e keni pasur më së vështiri të luani?

“Kanë qenë disa: Partizani e Zvezda nga Beogradi, pastaj Dinamo e Zagrebit dhe Hajduku i Splitit, por interesantë Vardari i Shkupit gjithmonë na nxjerrke probleme. Me këtë skuadër nuk na shkonte. Gjithmonë kemi kaluar keq si në Shkup, po ashtu edhe në Prishtinë. Kanë pasur futbollistë të mirë, si psh: Pançev, Ringov dhe Xhipunov. Rrallë na ka ndodhur t’i fitojmë. Vetëm kur erdhi Çiro Bllazheviç për trajner te ne atëherë i fituam”

Po nga sulmuesit e asaj kohe, cili ka qenë më i papërshtatshëm për ta ndalur?

“Kam ruajtur shumë sulmues, sepse detyrën e kisha të tillë. Të gjithë kanë qenë të rrezikshëm, por do të dalloja Dragan Mancen e Partizanit të Beogradit, sepse ishte i rrezikshëm me kokë. Shënonte gola nga jashtë vijës së 16-shit, vetëm kur e shihje topin në rrjetë. Edhe sulmuesi i Dinamo Zagreb, Ivan Cvjetkoviç ka qenë shumë dinak, pastaj Dragisha Biniç i Zvezdës së Beogradit ishte shumë i shpejtë. Edhe Ringovi i Vardarit po ashtu. Na thoshte trajneri Bllazheviç që të mos bëjmë faulle afër zonës sonë të rreptësisë, sepse gjuajtjet e tij janë të rrezikshme dhe mund të përfundojnë në rrjetën tonë”.

Kur jemi te Çiro Bllazheviç, çfarë trajneri ka qenë ai?

“Me vet faktin se me Kroacinë ka fituar vendin e tretë në botërorin e Francës në vitin 1998 tregon se për çfarë trajneri bëhet fjalë. Ka qenë motivues i madh. Para ndeshjes në tabelë na e shkruante: “Mi protiv njih” (Ne kundër atyre) dhe mjaftonte kaq për të na dhënë fuqi më të madhe”.

Me cilin bashkëlojtarë ke bashkëpunuar më së shumti në fushën e lojës?

“Unë si mbrojtës shpesh kaloja edhe në fazën e sulmit dhe topin gjithmonë ia pasoja Fadil Vokrrit, sepse te ai isha më i sigurt. Ai më thoshte: Xhevdet, ti vetëm pasoma mua topin, pastaj unë e di çka bëj me të. Dy tre kundërshtarë nuk kanë mundur ta marrin topin. Vëllai im Fadil Muriqi më thoshte: Pasoma edhe mua ndonjëherë, jo veç Vokrrit (Xhevdeti qeshet duke treguar)”.

Në cilin stadium keni kaluar më së miri dhe ku më së keqi?

“Si skuadër më së miri kemi kaluar në Kroaci kur luanim me klubet kroate, ndërsa më së keqi kemi kaluar në terrenet e skuadrave nga Serbia, sepse na fyenin me lloj-lloj fjalë”.

Mund të na kujtoni ndonjë moment të hidhur?

“Po, gjatë një ndeshje kampionale në Novi Sad kundër Vojvodinës gjatë daljes në qendër të fushës na e dhanë një transparent në të cilin shkruante diçka kundër Kosovës. Dhe, kur u desh ta shpalosim para publikut unë me disa bashkëlojtarë e hodhëm në tokë. Në mbrëmje në emisionin sportiv po e shikoj kronikën që kishin përgatitur, e cila titullohej: “Nacionalizam na centru” (nacionalizmi në qendër). Në mëngjes policia erdhën në banesën time më morën në pyetje. Për fat të mirë nuk na ndodhi asgjë dhe na lëshuan”.

Edhe diçka nëpër ndeshje futbolli me çka udhëtonit?

“Prishtina gjithmonë ka udhëtuar me avion, por interesante ka qenë në një ndeshje me Vardarin në Shkup, trajneri Ciro Bllazhevic tha se do të shkojmë me aeroplan ushtarak”.

Tash jetoni në Gjermani, me se po merreni atje?

“Ka tre vite që jetoj në Hannover të Gjermanisë, por nuk merrem me futboll profesional. Luaj për rekreacion për veteranët e Hannoverit. Kam edhe shtetësi kroate”.

Po e ndiqni përfaqësuesen e Kosovës në kualifikimet e KB në Rusi në vitin 2018?

“Po, natyrisht. Unë kam respekt për seleksionuesin e Kosovës, Albert Bunjaki, pasi ai ka punuar edhe kur Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA dhe FIFA, por janë rezultatet ata që e mbajnë një trajner në krye të ekipit. E rezultatet nuk janë të mira. Unë mendoj se Kosovës i duhet një trajner i huaj. Kosova ka futbollistë të mirë dhe mendoj se në të ardhmen do të kemi rezultate të mira”.

Dhe në fund, Kombëtarja mbeti pa trajner, pasi De Biasi u largua. Çfarë trajneri i duhet kuqezinjve?

“Kombëtarja arriti rezultat të madh me kualifikimin në Euro 2016 dhe kjo është meritë edhe e trajnerit De Biasi. Tani pas largimit të tij edhe Shqipërisë i nevojitet një trajner i huaj, por me emër. Mendoj se do të kenë rezultate më të mira”.