Xhaka flet për kalimin te Arsenali

Futbollisti shqiptar me nënshtetësi zvicerane, Granit Xhaka që është bërë lajmi kryesor në merkaton e transferimeve, është deklaruar për transferin drejt Arsenalit.

Xhaka ka thënë se e ardhmja e tij do të vendoset përpara se të fillojë Euro 2016, transmeton Koha.net. Në medie botërore dhe shqiptare thuhet se ai është më së afërmi me londinezët e Arsenalit dhe nuk përmendet klub tjetër kaq serioz deri tash për të marrë shërbimet e Xhakës.

Raportohet se për Xhakën, Arsenali do të paguaj 30 milionë funte marrëveshje, si synim i Wengerit për të rikuperuar mesfushën e tij.

Në ndeshjen e fundit në Bundesliga, Xhaka është zëvendësuar dhe duke dalur nga fusha është përshëndetur me ovacione nga publiku, ndërsa trajneri i tij, Andre Schubert e ka përqafuar.

“Jam person i gabuar për të folur rreth kësaj teme, duhet të flisni me Max Eberl [drejtori sportive i Monchengladbach]”, ka thënë Xhaka për Rheinische Post, teksa ka shtuar se “çfarëdo vendimi që marrin, do të marrim bashkë”.