Xavi e këshillon Neymarin: Mos bëj kështu

Neymar mbylli te Barcelona një sezon të jashtëzakonshëm, që u kurorëzua me tripletën e dytë në historinë e klubit blaugrana. Sulmuesi brazilian shënoi në total 39 gola, përkundrejt 15 finalizimeve të sezonit të parë me katalanasit. Të dhëna këto që tregojnë rritjen e talentin të “Selecaos” përkrah Lionel Messit dhe Luis Suarezit. Mirëpo sipas Xavi Hernandezit, ikonës së Barçës, Neymar mund të përmirësohet më shumë, sidomos në aspektin e sjelljes ndaj kundërshtarit.

“Neymar është një djalë i jashtëzakonshëm, kokulur dhe shumë punëtor, megjithatë duhet të reflektojë seriozisht përsa i përket sjelljes. E kam fjalën vecanërisht për lojën e tij në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Atletic Bilbaos. Veproi sipas mënyrës braziliane, pasi në vendin e tij ato lëvizje konsiderohen një spektakël, ndërsa tek ne mungesë respekti. Për këto gjëra duhet të mendojë më shumë”.

Tashmë mbetet në dorë të Neymar ta bëjë Xavin të pendohet për këto kritika, duke bërë diferencën në Kupën e Amerikës, në një kompeticion të cilin dështoi ta fitonte katër vite më parë, edhe pse pritshmëritë për të ishin tepër të larta.