Vushtrria i çon selame edhe Prishtinës e Feronikelit

Kanë kaluar shumë muaj prejse Kosova e Vushtrrisë e ka fituar titullin e kampionit, ndërsa tani po dëshmon se me meritë e mban trofeun e çmueshëm.

Vushtrriasit po tregohen kampionë të vërtetë edhe në këtë kampionat, i cili po shkon drejt fundit, përkundër faktit që sezonin e kishin nisur me probleme të shumta, e mbi të gjitha pa shumë lojtarë e trajnerë që e kishin stolisur me titull.

Gazeta Zëri shkruan se ekipi i një qyteti ku njerëzit jetojnë me futbollin, përkundër mungesës së kushteve më të mira financiare, po bën kërdi tash e disa javë. Vushtrriasit nuk dinë për humbje qe nëntë javë, gjatë të cilave i kanë regjistruar vetëm tri barazime, krahas gjashtë fitoreve.

Madje, duket se ekipi i Bekim Shotanit po e merr në duart e veta fatin e këtij kampionati, edhe nëse vetë nuk arrin ta mbrojë titullin.

Feronikeli, Besa e Prishtina po luftojnë rreptë për titull. Pejanët pësuan keq të shtunën nga vushtrriasit, prej të cilëve përfituan prishtinasit e liderët aktualë. Por, Shotani i paralajmëroi edhe këto dy ekipe tjera se do t’u dalë punë me djelmoshat e tij, sikurse u doli pejanëve.

“Ne tani do të luajmë edhe me Prishtinën, do t’i shkojmë edhe Feronikelit. Unë mund të them se deri në xhiron e fundit të kampionatit, në çdo ndeshje do të hyjmë për fitore dhe nuk na interesojnë pretendimet e ekipeve tjera. Ka pasur fjalë se do të humbim në Pejë, do të humbim nga Trepça, nga Hajvalia, kinse për shkak se ka shumë ish-anëtarë tanë, por asnjëra nuk ka ndodh, dhe nuk do të ndodh. Fitorja do të jetë objektivi ynë në çdo ndeshje”, thotë Shotani për ‘Zëri’, ekipi i të cilit është larg liderit me tetë pikë.

“Objektiv i yni nuk është vendi i parë, por nëse na vjen shansi do t’ia bëjmë hyzmetin. Objektivi ynë është fitorja në çdo ndeshje për t’u ngritur sa më lart që është e mundur”, u shpreh Shotani, i cili në kohë të vështirë e kishte marrë drejtimin e Kosovës (V). “Ka qenë sfidë e madhe, por për qytetin dhe klubin e kam pranuar. Na patën shkuar shumë lojtarë që i patëm zëvendësuar me juniorë, e të cilët po e japin maksimumin, të prirë nga Milot Rashica, e të ndihmuar nga përvoja e Faruk Statovcit, etj”, theksoi ai.

Kosova (V) nuk ka financa si klube tjera, por kryesia e klubit po bën gjithçka të tubojë sa më shumë para. Disa lojtarë nuk mund t’i paguajë, e disa të tjerë kanë rroga simbolike, e një numër i vogël i lojtarëve paguhen diç më mirë. Por, me rëndësi është se ato paga, sado të vogla, nuk po u vonohen.