Vokrri fton heronjtë e Shqipërisë për miqësore me Kosovën

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i emocionuar një ditë pas fitores historike të kombëtares shqiptare në Armeni, ka propozuar që heronjtë e ndeshjes t’ua sjellë tifozëve kosovarë në një ndeshje miqësore me formacionin e Kosovës.

Në një intervistë për Top Channel, Vokrri tha se një gjë e tillë do t’i propozohet Federatës Shqiptare të Futbolli, duke shpresuar që kreu i kësaj federate, Armand Duka do ta pranonte propozimin.

“Pse jo edhe me ndonjë ndeshje miqësore në një të ardhme shumë të afërt, ku publiku në Kosovë do të mund t’i përshëndeste heronjtë tanë, të cilët me mundin dhe djersën e tyre arritën suksesin më të ëndërruar për të shkuar në kampionatin europian të Francës. Tani ekziston një tjetër klimë dhe mendoj se, edhe presidenti Duka sigurisht që do të na e plotësonte këtë dëshirë”, tha Fadil Vokrri, kryetar i FFK-së.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, ku Shqipëria vulosi pjesëmarrjen në kampionatin europian të Francës vitin e ardhshëm, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri ka uruar kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, duke e ftuar së bashku me Giovanni De Biasin për një vizitë në Kosovë.

“Me presidentin Duka kemi biseduar edhe pas ndeshjes, qysh mbrëmjen e së dielës, dhe mendojmë që ta ftojmë në një vizitë, ndoshta së bashku me De Biasin. Në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë diskutuam mbrëmë këtë mundësi, duke marrë parasysh se lojtarët, sigurisht që duhet të kthehen dhe ndër të tjera kanë edhe detyrimet e tyre profesionale me klubet e tyre respektive”, tha Fadil Vokrri.

Vokrri deklaroi më tej se, pas zhgënjimit tri ditë më parë nga humbja kundër Serbisë, lojtarët, stafi dhe të gjithë drejtuesit e kombëtares nuk e kishin të lehtë këtë ndeshje, por me përkushtim ia dolën të shënojnë historinë e futbollit shqiptar.

“Ata gjetën forcë, që të bëjnë kthesën pas 3 ditësh dhe të shënojnë një fitore historike, të cilën asnjëherë nuk e kishim shijuar që prej formimit të shtetit shqiptar. Më në fund u arrit edhe ajo dëshirë e kahmotshme e shumë brezave dhe shumë gjeneratave, si të futbollistëve, ashtu edhe të drejtuesve. Më në fund edhe ne do ta shijojmë kampionatin europian në Francë”, tha Fadil Vokrri.

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri u shpreh optimist për ekipin shqiptar në kampionatin europian, duke marrë parasysh kualitetin dhe kompaktësinë, që kanë treguar gjatë gjithë këtij edicioni të kualifikueseve.