Vokrri: Festë sportive në Elbasan, gjithçka po shkon sipas planeve

Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) thotë se dueli i Shqipërisë me Serbinë është mjaft i rëndësishëm për shqiptarët.

Ai e ka dhënë një intervistë për ‘FoNet’, përcjell Zëri, ku ka folur për duelin e së enjtes, i cili do të zhvillohet në Elbasan Arena.

Ndër të tjera, ai nuk pret të ndodhin incidente në këtë përballje. “Nuk dua ta komentoj atë që ka ndodhur në Beograd vitin e kaluar. Ka qenë vendim i gjykatës sportive në Lozanë”, deklaroi Vokrri.

“Sa jam informuar, Federata Shqiptare e Futbollit dhe forcat e sigurisë së vendit, i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura”, vazhdoi kreu i futbollit kosovar, i cili shton se të gjitha gjërat do të shkojnë sipas planeve.

“Do të duhej të ishte një lojë sporti, një festë sportive”, thotë Vokrri, i cili shpreson që edhe Kosova shumë shpejtë të nis të luajë ndeshje zyrtare, si rezultat i pranimit në UEFA.

“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ia ka transmetuar dosjen tonë Kongresit të ardhshëm. Presim të pranohemi që kah fillimi i vitit të ardhshëm, duke i parë problemet aktuale të UEFA-s dhe FIFA-s”, thotë Vokrri.

I pyetur nëse pret që Kosova të pranohet dhe që ky vend të ketë kundërshtarë gjatë votimeve, ai e ka një përgjigje.

“Secili i ka argumentet e tyre. Nuk është e drejt që Kosova, e cila është e njohur nga 111 vende, të mos marrë pjesë në kualifikimet evropiane”, insiston ai.

Vokrri e ka komentuar edhe futbollin kosovar, më saktësisht Superligën, e cila ka 12 klube.

“Kemi lojtarë të mirë, disa kanë shkuar në klubet shqiptare, por ka edhe lojtarë të rinj që luajnë në klube të ndryshme evropiane. Kjo është provë që kemi talent”, deklaroi ai.

Miqësoret e Kosovës, të zhvilluara deri tash, janë bazë e mirë e ndërtimit të skuadrës përfaqësuese, mendon ai.

“Kosova ka potencial në futboll. Duhet të punojmë dhe t’i mbështesim lojtarët e rinj, për t’i arritur klubet e duhura, për t’u zhvilluar si duhet”, përfundoi Vokrri.