Vllaznia në Serbi, tifozët nuk e lejojnë (FOTO)

Grupimi më i madh i tifozëve shkodranë, “Vllaznit Ultra”, ka reaguar ashpër dhe shprehet kundër drejtuesve të klubit, të cilët kanë vendosur që Vllaznia të mos stërvitet në Nikshiq të Malit të Zi, por duan ta ndryshojnë destinacionin e kampingut stërvitor në Zllatibor të Serbisë.

“Vllaznit Ultras, i bajnë thirrje Klubit Vllaznia që faza përgatitore e Vllaznisë të mos zhvillohet në Serbi. Ekipi jonë nuk mund të shkojë në një vend, ku u keqtrajtua para disa viteve. Zhvilloi ndeshje “miqësore”, ndërkohë që në fushën e lojës ekipet serbe impenjoheshin si kundër armiqve duke dëmtuar lojtarët tonë. Duke marrë shkas edhe nga ngjarjet e 14 tetorit 2014, ku lojtarët Shqiptarë rrezikuan jetën. Për Vllazninë, Serbia nuk mund të jetë një opsion. Drejtuesat mund të shkojnë vet atje, por JO EKIPI JONE”, shkruhet në faqen zyrtare të tifozëve shkodranë të grupit të “Vllaznit Ultras”, shkruan sportal.al.

Nëpërmjet këtyre pak radhëve, tifozët e “Vllaznit Ultras” i tregojnë drejtuesve të rinj të klubit shkodran, se 5 vite më parë kur Vllaznia është stërvitur atje nga trajneri malazez Mojash Radonjiç është kthyer në Shkodër me disa lojtarë të dëmtuar, si pasojë e lojërave të ashpra të skuadrave serbe në “miqësoret” e zhvilluara në Zllatibor, ku duan t’i çojnë tani drejtuesit e klubit futbollistët e Vllaznisë për përgatitje dhe ndeshje miqësore. Përpos kësaj ata i rikujtojnë drejtuesve të klubit shkodran edhe ngjarjet e “natës së ferrit” që përjetuan futbollistët tanë më 14 tetori të vitit të shkuar në Beograd.

tifozet