Vjen konfirmimi për rimeçin, Krasniqi – Hartelin: Ja kur pritet të zhvillohet

Haxhi Krasniqi ndihet i lumtur që Stefan Hartel ia dha rastin të boksojnë përsëri këtë vit.

Boksieri kosovar mezi po e pret rimeçin me boksierin gjerman, i cili do të zhvillohet në muajin nëntor. Junikasi thotë se nuk e kishte merituar humbjen në meçin e parë në mes tyre.

Boksieri gjerman e kishte fituar duelin e parë në mes tyre në pjesën e parë të këtij viti, duke ia rrëmbyer edhe titullin e kampionit evropian në peshat super të mesme, përcjell insporti.

Mirëpo, junikasi insiston se nuk e kishte merituar humbjen në atë meç dhe tash mezi po e pret rimeçin, i cili do të zhvillohet në muajin nëntor.

“Hartel ka boksuar mirë në meçin e parë, por nuk më ka mposhtur. Në rundet e fundit ai shkoi pothuajse i nokautuar. Nëse nuk do ta kisha qarjen në sy, do ta fitoja pa problem meçin. Nuk jam absolutisht dakord me vendimin e gjyqtarëve dhe për këtë mezi e pres rimeçin”, ka thënë Krasniqi për MDR.de

Data e rimeçit nuk është caktuar ende, por për momentin dihet vetëm muaji – nëntor.

Krasniqi synon ta fitojë këtë meç dhe më pas ta vazhdojë rrugëtimin drejt titullit të kampionit të botës, një objektiv i tij jetësor.

Harteli ia kishte marrë Krasniqit, titullin EBU të kampionit evropian në peshat super të mesme pasi e kishte mposhtur në maj të këtij viti.