Vizitë e rëndësishme në Kosovë

Prej 17 deri më 19 shtator në Kosovë do të qëndrojnë për vizitë dy zyrtare të larta të FIBA Europe, Radmila Turner, Drejtoreshë për Marrëdhënie me Federata Kombëtare e FIBA Europe dhe Lena Lisiecki Koordinatore e Organizimeve në FIBA Europe, thuhet në njoftimin e FBK-s.

Qëllimi i vizitës së dy zyrtareve të FIBA Europe është përcjellja nga afër e ndeshjes së gjashtë kualifikuese për Eurobasket 2017, Kosovë-Bullgari që do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 20:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Turner dhe Lisiecki janë gjithashtu të interesuara për pjesën organizative të ndeshjes, pra për nivelin e organizimit nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) me bashkëpunëtorët e saj.

Po ashtu gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë dy zyrtaret e FIBA Europe do të takohen me kryetarin e FBK-së, Erolld Belegu dhe me sekretarin e përgjithshëm, Leart Hoxha për të diskutuar rreth përvojave të fituara nga ana e federatës tonë në debutimin historik në kualifikimet për Eurobasket 2017, si dhe për paraqitjen e përfaqësueseve tona të reja në Kampionatet Evropiane (të dyja konkurrencat) të Divizioneve të ndryshme gjatë kësaj vere.

Ndërkaq të dielën më 18 shtator, Turner dhe Lisiecki do të organizojnë një Punëtori (Workshop) me stafin e FBK-së që ka të bëjë me përgatitjen sa më të mirë për organizimin e ngjarjeve të mëdha, siç janë Kampionatet Evropiane të gjeneratave të reja, pastaj ndeshjet e kualifikimeve për Evropian dhe Botëror etj etj.