Violinisti me famë botërore, Shkëlzen Doli, ndihmon skuadrën e zemrës, Vëllaznimin

Violinisti me famë botërore nga qyteti i Gjakovës që jeton dhe vepron në Austri, Shkëlzen Doli, ka ndihmuar skuadrën e zemrës, Vëllaznimin.

Ai iu është bashkuar fushatës për të ndihmuar klubin e qytetit, përcjellë Gazeta Olle.

Doli ka dërguar një shumë të caktuar të të hollave në xhirollogari të klubit gjakovar.

Lajmi u konfirmua nga faqja zyrtare e Vëllaznimit.

“Felenderojmë artistin me famë botërore Shkelzen Doli i cili kontriboj për Vëllaznimin me anë të xhirollogarisë”, njofton klubi kuqezi.

Ndryshe, Doli prej vitit 2006 është anëtar i Operës Shtetërore të Vienës.

Prej vitit 2009, ai është bërë edhe pjesë e Filharmonisë së Vienës. Famën botërore si violinist e ka ndërtuar duke qenë në shumë turne si solist dhe anëtar i grupeve të muzikës së dhomës në shtete të ndryshme evropiane, në Amerikën Veriore, Afrikë, Izrael dhe Japoni.

Ai bën pjesë edhe në një grup të sapo riformuar të muzikës së dhomës, në ansamblin “Philharmonisches Ensemble – Wien”.

“Unë jam shqiptar dhe nuk krenohem me asgjë tjetër përveç kombit tim” – deklarata e tij para dy vjetësh në Tiranë, tregon se ai kontribuon gjithmonë për origjinën. /Gazeta Olle/