Veseli: I kam mundësitë të luaj në kampionat më të madh, duam 6 pikë këto ndeshje

Në konferencën e sotme për shtyp nga Frankfurti, mbrojtësi i Kombëtares që aktivizohet me Empolin doli në një konferencë për shtyp ku foli në lidhje me ndeshjen e radhës që kuqezinjtë kanë ndaj Islandës.

Veseli u shpreh se i kënaq fitorja në dy ndeshjet e radhës si ndaj Islandës ashtu edhe ndaj Moldavisë ndërkohë që u ndal edhe te e ardhmja e tij.

“Ndryshimet e Shqipërisë? Janë 2 trajnerë të ndryshëm dhe secili ka stilin e vet,. Edhe në klub kam pasur trajnerët të ndryshëm dhe secili punon me stilin e vet. Nëse nuk do të ketë ndryshime nuk ishte ndërruar trajneri por është herët të gjykoj punën e trajnerit edhe pse nuk jam tip që gjykoj. Puna jonë është të bëjmë ndeshje të mira dhe me rezultat pozitiv të fitojmë.

Me 6 pikë jemi të kënaqur por në futboll nuk fiton gjithmonë. Duhet të përqendrohemi ndeshjen e parë dhe të bëjmë paraqitje pozitive dhe pastaj të shohim. Kam besim se rezultati do të vijë.

Islanda? Besoj se Islanda dhe çdo skuadër kur arrin në kulm bie pak poshtë. Islanda nuk është pak më parë dhe shpresoj që momentin që kemi pasur ne poshtë, të ngrihemi më lart dhe të marrim fitore. Jemi përqendruar në lojën tonë por nga sot do t’i studiojmë edhe ata.

E ardhmja? Kam edhe 2 vite kontratë por nëse ka mundësi pozitive për mua dhe klubin do të ishte më mirë. Jam i sigurt se do të kisha mundësi të luaja në kampionat më të madh por do të shohim se çfarë ndodh. Kam dy vite por vendos klubi”, tha Veseli.