Vëllaznimi në gjendje të mjerueshme, por gjakovarët mbushin stadiumin edhe në miqësore: Kryesia e klubit në gjumë!

Klubi është në gjendje shumë të vështirë. Skuadrës i ka humbur edhe ai kualitet që e kishte në afatin kalimtar dhe kësisoj nuk është e denjë të luftojë as për inkuadrimin në Superligë nga Liga e Parë.

Pavarësisht realitetit të hidhur, Vëllaznimit iu mbush tribuna perëndimore në ndeshjen miqësore ndaj rivalit tradicional, Trepçës.

Gjakovarët përcollën këtë ndeshje në një numër të konsiderueshëm, duke treguar që pavarësisht zhgënjimeve të njëpasnjëshme nga klubi i zemrës, janë gjithmonë aty për ngjyrat kuqezi.

Mirëpo, ngjyrat dhe historia gati një-shekullore që e ka ndërtuar ky klub, nuk po respektohen as nga kryesia e re, në krye të së cilës është Agim Cana.

Gazeta Olle mëson përmes burimeve të besueshme brenda klubit se situata te Vëllaznimi është alarmante.

Keyetari Cana gjendet në Francë dhe nuk dihet nëse do të vazhdojë t’iu prijë gjakovarëve.

Ai e ka lënë klubin në gjendje kaotike, me shumë largime e asnjë përforcim.

Trajneri Sadat Pajaziti ka në dispozicion shumë pak lojtarë dhe për të kompletuar ekipin ka marrë pjesën më të madhe të skuadrës juniore.

Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare, si në aspektin e ndonjë përforcimi eventual e ashtu edhe rreth të ardhmes së Agim Canës, që duhet të zgjohet nga gjumi veror dhe të bëjë diçka të mirë në Vëllaznimin e epokës së tij, që deri më tani mbetet një dështim kolosal. /Gazeta Olle/