Veliu: Ndeshja ndaj Messit eksperienca më e bukur në jetë, Gjilani sivjet lufton për titull!

Në qershor të vitit 2011, Shqipëria u përball në një miqësore luksi me Argjentinën në ‘Monumental’ të Buenos Aires. 

Pjesë e formacionit të Shqipërisë atë kohë ishte edhe Franc Veliu, mbrojtësi aktual i Gjilanit, i cili pati rastin të përballet direkt me Lionel Messin njërin nga futbollistët më të mirë të gjithë kohërave.

Në një intervistë për gazetën “Sinjali”, mbrojtësi vlonjat tregon se ajo është eksperienca më e mirë në jetë dhe se e cilëson Lionel Messin si më të mirin në botë.

“Unë mund të them që s’ka shpjegim. Është thjesht fantastike. Pata fatin e madh të luaj kundër një futbollisti që do ta cilësoja si më të mirin në botë. Është dhe do të mbetet eksperienca ime më e bukur e jetës”, theksoi fillimisht 31 vjeçari.

“Gjilani që në formimin e tij ka pasur qëllimet dhe objektivat e qarta, të luftojë për Kupat e Europës, pse jo dhe për kampion. Besoj se lufta do të jetë e hapur deri në fund të kampionatit”,shtoi ndër të tjerash Veliu.

Tutje, mbrojtësi i Gjilanit shtoi se gara për titull po bëhet e ashpër dhe beson se në garë për të fituar Superligën do të jenë më shumë se katër skuadra.

“‘Të them të drejtën, lufta po bëhet shumë e ashpër, besoj se në garë do të jenë më shumë se dy ekipe. Katër ekipet e para do të luftojnë deri në fund për titullin kampion, duke parë se diferenca e pikëve është shumë e afërt”, tha Veliu.

Për momentin të gjitha aktivitetet sportive janë pezulluar në Kosovë për shkak të koronavirusit.

Veliu beson se kjo pauzë nuk është aspak në favorin e lojtarëve dhe se do të ndikoj në formën e futbollistëve.

“Sigurisht që për një futbollist një pauzë e tillë nuk është aspak në favor të tij. Unë respektoj dhe zbatoj rregullat që janë vendosur nga shteti. Të gjithë duhet t’i zbatojmë ato. Pjesën më të madhe të kohës unë po e kaloj në shtëpi’

Padyshim që çdo pauzë e papritur, ndikon në formën e një futbollisti. Stafi jonë teknik, na ka dhënë programe individuale për t’i zbatuar çdo ditë sipas hapësirës kohore që mund të kemi”, përfundoi Veliu.