Veliu me ‘dy lug’, vijë te Gjilani por pres përgjigje nga jashtë

Franc Veliu pritet të jetë përforcimi i rradhës i SC Gjilanit. Mbrojtësi 30 vjeçar nga Vlora pritet të përforcojë repartin e mbrojtjes në organikën e Gentjan Mezanit, teksa ‘firma’ pritet të ndodh nga dita në ditë.

Këtë informacion e ka pranuar edhe vetë futbollisti, i cili në një prononcim të dhënë për newsport.al, ish-reprezentuesi i Shqipërisë tregon se ai është shumë pranë kalimit tek skuadra e Gjilanit.

“Është e vërtetë se jam pranë një kalimi tek skuadra e Gjilanit dhe bisedimet janë në një fazë të avancuar, shpresoj që të konkretizohet në ditët në vazhdim pasi po pres dhe një përgjigje për jashtë Shqipërisë dhe Kosovës”.

Për momentin, qendërmbrojtësi nuk e ka mbyllur përfundimisht tek Flamurtari, por gjendja në të cilën ndodhet klubi, e ka bërë lojtarin që të marrë një tjetër vendim për karrierën e tij.

”Jo nuk e kam mbyllur, por tek Flamurtari për momentin s’po lëvizin gjërat”.