Veliu: Falenderim i madh për ata të cilët më besuan

Valmir Veliu është një tjetër talent i cili ka dalë nga akademia e skuadrës së Llapit.

18-vjeçari llogaritet si zbulim i klubit llapjan, për të cilin drejtori sportiv i Llapit, Tahir Batatina më parë është shprehur se ka cilësi të luaj edhe në arenën ndërkombëtare.

Fal formës së mirë në të cilën është duke kaluar Veliu tek Llapi, ai ka zënë një vend titullari në formacionin e Xhengiz Rexhpepit, madje në ndeshjen e fundit ai arriti ta gjejë edhe golin.

Ai për këtë formë në të cilën po kalon më së shumti falenderon trajnerët e tij.

Për formën në të cilën jam duke kaluar, më së shumti falenderoj trajnerin dhe stafin e tij, për punën e palodhshme që kanë bërë si dhe për besimin ndaj meje” u shpreh fillimisht Veliu për Gazetën Olle.

Veliu së fundi ka pranuar edhe ftesën nga kombëtarja U21 dhe kjo është hera e parë që ai ftohet nga një kombëtare, ani pse më parë ka qenë i grumbulluar edhe me U19 me të cilët ka zhvilluar disa ndeshje miqësore.

“Normalisht, është një kënaqësi e madhe që kam marrë ftesën nga kombëtarja U21. Është ëndërr e çdo futbollisti që ta përfaqësoj vendin e vet”, tha Veliu.

Sa i përket titullit kampion me skuadrën e Llapit, 18 vjeçari pohoi se Llapi nuk ka ndonjë presion dhe do të futet ndeshje për ndeshje për të fituar dhe më pas në fund do të shohim se çfarë do të ndodhë./GazetaOlle/