Veçantia e fanellave të reja të Kosovës

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) sot gjatë ditës ka publikuar fanellat e reja të Përfaqësueses së Kosovës si dhe u shfaq logoja e re e Federatës.

Një prej risive është fanella e tretë me ngjyrë të zezë, e cila e zëvendëson fanellën e kaluar me ngjyrë të bardhë. Ndërkaq dy fanellat tjera kanë ngjyrë të kaltër (vendas) dhe të verdhë (mysafir).

Ceremonia e prezantimit të fanellave dhe e logos së re filloi me një minutë heshtje për të nderuar ish kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri i cili vdiq një javë më parë.

U bë i ditur edhe sponsori i ri i cili është kompania, “Fourteen” nga Zvicra. Në emër të këtij sponsori të ri foli italiani Andrea Picciau i cili deklaroi se këtë marrëveshje ai e kishte kryer me të ndjerin Fadil Vokrri dhe ishte i privilegjuar që e njohu një njeri si ish kryetarin e FFK-së.

Më pas, Picciau filloi të prezantojë fanellën e re, duke thënë se kjo fanellë është një nga modelet me të fundit në treg. Materiali i fanellës së re është antibakterial dhe pa azot, material i cili ndihmon shumë në shfaqjen e aftësive të sportistëve.

Në këto fanella detaj i ri është logoja e re e cila është e vendosur në prodhim tre dimensional dhe për të mos u humbur eleganca e kësaj fanelle logoja është në një dimension jo shumë të madh.

Në këtë fanellë janë të vendosura edhe disa elemente të cilët karakterizojnë shtetin tonë. Nga 3 yje në të dy anët përbëjnë gjithsej 6 yjet të cilët gjinden edhe në flamurin shtetëror.

Fanellën e parë të re të Kosovës e pranuan familjarët e ish kryetarit Vokrri si shenjë falënderimi ndaj punës së tij dhe më pas u bënë edhe disa fanella tjera si dhuratë për persona publike e lojtarë të Kosovës.

Herolind Shala këto fanella i cilësoi si më të mira se ato që kanë pasur dhe shpreson që të kenë sa më shumë sukses me këto fanella.

Edona Kryeziu lojtare në kombëtaren e Kosovës deklaroi se është ndjerë shumë e lumtur me këto fanella dhe shpreson të shënoj sa më shumë me këto fanella.

Talenti i Kosovës, Edon Zhegrova i pëlqeu mjaftë shumë fanellat e reja duke thënë se shpreson të shkojmë sa më lartë me Kosovën, me fanella të reja.

Këto fanella së shpejti pritet të dalin në shitje dhe çdo person që dëshiron ta posedojë një të tillë, do të ketë mundësinë për ta blerë atë.