Vazhdojnë me mirënjohje

Me mirënjohje të veçanta janë nderuar xhudistet Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, të enjten në Gjakovë, për sukseset e tyre që Kosovën e bënë të jetë pjesë e gjeografisë së sukseseve sportive ndërkombëtare.

Ndërsa, me mirënjohje për motivacion dhe përkushtimin në punë ndaj të rinjve si dhe për sukseset e arritura, është nderuar edhe trajneri, Driton Kuka.

Këto mirënjohje ua ka ndarë kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, që i priti në një takim të gjithë këta.

“Kampionët nuk janë gjë tjetër, pos përpjekje pas përpjekjeje për të arritur suksese” është shprehur Kusari – Lila.

E trajneri Kuka është shprehur i kënaqur me pritjen që iu është bërë.

Më pas, medalistet e arta dhe të bronzta të përfaqësueses së Kosovës në xhudo, kanë mbajtur një takim me nxënës të shkollave fillore të Komunës së Gjakovës, ku janë përgjigjur pyetjeve të ndryshme rreth të arriturave të tyre jetësore në nivelin ndërkombëtar.

Ndryshe, xhudistja Majlinda Kelmendi, është kampione botërore e cila edhe është shpallur si xhudistja më e mirë e globit për vitin 2014, ndërsa, xhudistja Nora Gjakova ka fituar medaljen e bronztë nga olimpiada evropiane e mbajtur në Azerbajxhan. (lajmi.net)