Vazhdojnë çuditë nga “Tiks App”: Shiten të gjitha biletat e ndeshjes Kosovë – Angli

Janë shitur të gjitha biletat e takimit Kosovë – Angli.

Pasi shitja rifilloi në orën 21:30, brenda vetëm disa minutave në faqen e ‘tiks app’ më nuk figuronte asnjë vend i lirë për ndonjërën pjesë të tribunave.

Bileta ka pasur në dispozicion vetëm për pjesën jugore pasi që për pjesët e tjera duket se ishin shitur më herët.

Federata e Futbollit e Kosovës sot në mbrëmje doli me një njoftim rreth rifillimit të shitjes së biletave.

FFK-ja bëri të ditur se do të rifillonte procesi i shitjes së biletave në uebfaqen ‘tiks.app’ në orën 21:30.

Kujtojmë se biletat fillimisht ishin paraparë të dilnin në shitje të martën nga ora 16:00, por fluksi i madh i qytetarëve bëri që uebfaqja të binte së funksionuari.

Kosovë – Angli do të luhet të dielën, më 17 nëntor, nga ora 18:00 në ‘Fadil Vokrri’.