Vata kundër Bushit, rinovoni me De Biasin

Ish-kapiteni i kuqezinjve, qendërmbrojtësi Rudi Vata, nuk ndan të njwjtin mendim me menaxherin e kombëtares Alban Bushin dhe në një fare mënyre i kundërpërgjigjet atij në distancë, lidhur me rolin e trajneri Gianni de Biasi në kualifikimin e Shqipërisë në finalet e “Francë 2016”-s.

“Meritën për kualifikimin e Shqipërisë në Evropian e ka De Biasi në mënyrë absolute. Arriti të kontrollonte grupin dhe të menaxhonte më së miri situata all-shqiptarçe. Afroi lojtarë që së pari, kishin dëshirë të luanin për vendin e tyre dhe të transmetonin sinjale pozitive edhe kur ishin në stol”, do të shprehej ai në një intervistë për “Panorama Sport”.

Shkodrani Rudi Vata, ish-trajner i Vllaznisë, por edhe ish-kandidat për kreun e FSHF-së,  do të jepte mendimin e tij “pro” edhe për çështjen e përfolur të rinovimit të kontratës me trajnerin De Biasi.

“Unë mendoj se FSHF duhet t’i plotësojë çdo kusht De Biasit. Ai meriton kontratën që dëshiron dhe Shqipëria tashmë duhet të bëjë hapin tjetër të madh. Mosrinovimi me De Biasin është një lëvizje e gabuar. Po të isha unë në vend të Dukës, do të bëja çmos që ta mbaja De Biasin”, është shprehur ish-kapiteni i Kombëtares.

Rudi Vata suksesin e arritur nga Kombëtarja për të qenë në finalet e Francës, ia atribuon krejtësisht trajnerit, i cili, sipas tij, ia ka arritur të implementojë ide të reja në futbollin shqiptar, por edhe të ndryshojë mentalitete të opinionit, madje dhe të njerëzve në FSHF.