U ‘plakën’ me një termin (FOTO)

25 vjet pa u ndalur. Një shoqëri doktorësh po mbahen si burrat, duke e vazhduar terminin e futbollit të vogël, të nisur në vitin 1990. Nuk i ka ndalur as acari e as zhegu i madh, përveç luftës. Respekti, angazhimi fizik, zbavitja dhe disponimi që ua sjell loja thonë se janë çelës i qëndrueshmërisë dhe jetëgjatësisë së shoqërimit të tyre përmes topit. Në lojë s’e njohin njëri-tjetrin, kurse pas saj miqësia vazhdon. Kur të vijë koha e lojës, ata lënë çdo gjë anash.

Thuajse secili prej nesh kemi luajtur termine në futboll të vogël, të cilat, dorën në zemër, janë ndërprerë pas disa muajsh për shkaqe të ndryshme, mbi të gjitha klimatike.

Por, ta mbash një termin për mbi 25 vjet, kjo është diçka aspak e zakonshme, shkruan gazeta Zëri.

Në vitin 1990, një shoqëri doktorësh e kishin nisur një termin të futbollit të vogël, e cila, besoni apo jo, po vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Lojtarët kanë ardhur e kanë shkuar, por termini nuk është ndalur as në verë e as në dimër, përpos gjatë kohës së luftës.

“Kemi filluar në vitin 1990 si termini i doktorëve. Shumë prej lojtarëve ikën dhe mbetëm 4-5 veta, që e formuam skeletin e ekipeve të sotme. Luajmë 5 me 5, pa portierë. Jemi të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Më i vjetri aktiv jam unë, 66 vjeçar, e deri vonë si më i vjetri ka luajtur Aliriza Boshnjaku”, tregon fillimisht për “Zërin”, Minib Pozhegu, stomatolog i njohur në Gjakovë.

Por, si është e mundur që të mos ndërpritet një termin futbolli aq gjatë?

“Respekti, angazhimi fizik, zbavitja dhe disponimi që na sjell loja, besoj se janë çelësi i qëndrueshmërisë dhe jetëgjatësisë së shoqërimit tonë. Terminin e kemi mbajtur pandërprerë gjatë gjithë kohës, pa marrë parasysh kohën, ftohtë i madh apo nxehtë i madh, përveç luftës”, u shpreh Pozhegu.

Ai tregon se emrat e disave me stazh më të gjatë që kanë luajtur në këtë termin janë: doktor Minib Pozhegu, poet dhe shkrimtar, Aliriza Boshnjaku, metal-gdhendës Bardh Dujaka, doktor Nafi Dafota, doktor Bujar Bedra, doktor Selajdin Boshnjaku, doktor Flamur Dylhasi, inxhinier Mazllom Haxhikadria, teknik i postës dhe telekomunikacionit Bujar Haxhikadria, inxhinier Bedrush Zeka, kryeinspektor i zjarrfikësve Yll Rudi, doktor Arsim Boshnjaku, doktor Gazmend Boshnjaku, teknik dhe mirëmbajtës në shkollë Besnik Hadri, teknik i elektros Fatos Emra, ndërsa viteve të fundit janë shtuar edhe ekonomistët Adnan Kmberi e Shpat Haxhibeqiri, profesori i edukatës fizike Nevruz Berisha, polici Gëzim Abazi, studenti Blendi Haxhikadria, një kohë kishte luajtur edhe doktor Vllaznim Luzha, pastaj vëllezërit Syla, doktor Blerim Syla dhe dëshmori Bujar Syla, ndërsa herët kishte vdekur Përparim Qarri, një lojtar shumë i talentuar. Ndërkohë, ka pasur edhe lojtarë të tjerë me paraqitje të herëpashershme.

Në palestër kundërshtarë të përbetuar, në kafene miq

Në parket, lojtarët nuk e njohin njëri-tjetrin. Ata duan gjithsesi të fitojnë, duke mos iu munguar assesi angazhimi, por aty këtu ka edhe bërtitma, të cilat harrohen pas lojës, kur të gjithë bashkërisht shkojnë për t’i ndërruar dy llafe.

“Në palestër jemi kundërshtarë të përbetuar, kurse në kafene jemi miq”, thotë mjeku Minib.

“Luajmë me shumë ‘inat’ në lojë. Bujar Bedra e ka një thënie të njohur: ‘me mujt ju lo shpirtin n’parket’, kurse unë më së shpeshti them: ‘shkyje’”, zbulon ai.

loading...

Loading...