Urimi i presidentit të FFK-së, Agim Ademi, për Vitin e Ri


Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e ka quajtur vitin 2018 të dhembjes dhe krenarisë.

Më poshtë mund të gjeni urimin e tij për vitin 2019.

Të nderuar drejtues të klubeve, futbollistë, anëtarë të FFK-së, Dardanë dhe adhurues tjerë, miq afaristë, sponsorë dhe qytetarë të Kosovës!

Viti që po lëmë pas ishte me përplot sfida e peripeci. Ishte një vit i dhembjes dhe krenarisë sonë siç e them unë shpesh. I dhembjes sepse nga ne u nda legjenda dhe ish-presidenti i FFK-së Fadil Vokrri, por edhe i krenarisë pasi arritëm ta ruajmë besimin dhe përkushtimin për një të ardhme më të mirë të futbollit të Kosovës. Arritëm suksese të jashtëzakonshme si në planin kombëtar pa dashur t’i numëroj një për një, edhe atë ndërkombëtar, në veçanti me kulmimin e Kombëtares A, që vuri themelet e një epoke të re në futbollin e Kosovës.
Shfrytëzoj nga rasti që në këtë fundvit, të falënderoj të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës, institucionet ndërkombëtare, miqtë tanë afaristë, sponsorët, klientët, gjithë atë lumë njerëzish që na mbështetën e na ndihmuan, e në veçanti falënderoj klubet, futbollistët, trajnerët, gjyqtarët, adhuruesit, në veçanti grupin Dardanët dhe organet tona, e që pa përkrahjen e të gjithë këtyre nuk do të arrinim këto suksese.
Viti që po vjen është vit kudo të vazhdojmë me përkushtim realizimin e plotë të epokës tonë të re, për të siguruar një vend në Evropianin 2020. Kjo duhet të shërbej si motiv shtesë për ne, që të punojmë e shënojmë përparim edhe më të madh për futbollin e Kosovës për shtetin dhe qytetarët tanë. Do të punojmë e angazhohemi edhe më shumë në ngritjen e futbollit në garat e brendshme, ta rrisim cilësinë dhe ta shtojmë shumësinë. Viti 2019 të jetë vit i futbollit, të shndërrohet në shenjë mbrojtëse të Republikës së Kosovës. Në këtë natë të ndërrimit të moteve, në emrin tim dhe KE të gjithëve Juve, dua të ju uroj shëndet, paqe, lumturi e suksese në familjet e juaja dhe mbarësi në institucionet e kompanitë e juaja.
Me fat Viti i Ri 2019.

Me respekt
Agim Ademi, president i FFK-së