UEFA nuk apelon, vendimi i CAS-it nuk ndryshon

UEFA nuk do të apelojë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, që i dha Shqipërisë fitoren pas skandalit të dhunës dhe racizimit në Serbi. Konfirmimi ka ardhur për kanalin “Agon Channel ” nga zyra e shtypit të konfederatës europiane të futbollit.

Pyetjes nëse po mendon të apelojë vendimin e CAS të Lozanës për ndeshjen e 14 tetorit 2014, Serbi-Shqipëri, UEFA iu përgjigj: “I nderuar zotëri. Vendimi i dhënë nuk apelohet. Përshëndetje të përzemërta. UEFA, Media dhe Marrëdhënie me Publikun”.

Me këto pak fjali, institucioni i drejtuar nga Michel Platini pranon verdiktin e CAS dhe dorëzohet përpara Shqipërisë, që festoi fitoren në tavolinë. Një qëndrim që i jep fund të gjitha spekulimeve.

Përgjigja zyrtare e dhënë për Agon Channel, shërben edhe si përgjigje për autoritetet në Beograd. Në korrespondencën e mëparshme, UEFA sqaroi edhe ndryshimet çoroditëse në renditjen e Grupit I të Euro 2016.

“Bëhej fjalë thjesht për një problem teknik, klasifikimi është korrigjuar”, citohej në reagimin e zyrave të Nionit, duke nisur edhe linkun, ku Shqipëria e sheh veten në vendin e tretë, me pikë të barabarta me Danimarkën, por e penalizuar nga barazimi 1-1 në Elbasan. Ndërkohë, Serbia është e fundit, me -2 pikë.