UEFA nderon Vokrrin, nis mbledhjen me një minutë heshtje

Shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA, ka nderuar ish-kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrrin, i cili ndërroi jetë të shtunën pas një ataku kardiak.

Presidetni i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e ka mbajtur një takim me anëtarët e këtij asociacioni, duke e nisur atë me një minutë heshtje në kujtim të Vokrrit.

Presidenti i UEFA-s e ka kujtuar presidentin e FFK-së me fjalët më të mira, si një njeri të jashtëzakonshëm, futbollist kulminant dhe si punëtor të madh e vizionar për zhvillimin e futbollit kosovar

Krahas ngushëllimit për humbjen e presidentit Vokrri, Ceferin shprehu gatishmëri dhe përkrahje maksimale për të vazhduar rrugën e presidentit Fadil Vokrri nga bashkëpunëtorët për zhvillimin e futbollit, organizimin e federatës dhe përfundimin e projekteve që UEFA ka bërë për Kosovën.

Kosova në kongresin e FIFA-s dhe në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror po përfaqësohet nga zëvendëspresidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe menaxheri i licencimeve, Bajram Shala.

Ndërkohë, delegacionin e FFK-së e ngushëlluan për humbjen e presidentit Vokrri të gjithë delegatët e federatave kombëtare që janë të pranishme në Moskë.

Nesër në Kongresin e FIFA-s do të votohet për kandidaturën e Botërorit 2026, ku në garë janë kandidatura e përbashkët SHBA/Meksikë/Kanada dhe kandidatura e Marokut.